Kryetari në detyrë i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka takuar të nominuarin e LDK-së për kryeministër, Avdullah Hotin.
Pas këtij takimi ka thënë se subjekti i tyre politik përkrahë një Qeveri të udhëhequr nga Hoti, njofton Klan Kosova.
“Ia dhashë besimin e AAK-së për krijimin e një qeverie. Ky ishte konfirmim politik. Ende nuk është dekreti për nominim”, ka thënë Haradinaj.
Në këtë takim, Haradinaj ka thënë se nuk është biseduar për ndarjen e ministrie dhe ka shtuar se ai personalisht nuk do të jetë pjesë e ekzekutivit.
“Nuk planifikoj të marrë punë… Duhet të dërgojmë ministra sa më profesional. Askush nuk ka biseduar as negociuar dhe as është lakuar emri im për çfarëdo posti. Zgjedhja e Presidentit është e vështirë sepse kërkon 2/3 e votave. Zgjidhja më mirë është që Presidenti të zgjedhej direkt nga populli”, ka thënë ai duke mohuar se mund të zgjedhet president i Kosovës nga marrëveshja që mund të arrihet tash me LDK-në.