Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka njoftuar se të hënën, 13 korrik, do të udhëtojë drejt Hagës si i ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar, dy javë pasi që Zyra e Prokurorit të Specializuar në kuadër të Gjykatës Speciale njoftoi se ndaj tij ka ngritur aktakuzë.
“Në këto dy dekadat e fundit shumë pjesëtarë të UÇK-së u ballafaquan me drejtësinë ndërkombëtare të UNMIK-ut, Tribunalit të Hagës për Ish-Jugosllavi, EULEX-it dhe me drejtësinë vendore. Kosova, edhe pse viktimë, bashkëpunoi me organet e drejtësisë për trajtimin e pretendimeve për krme lufte. Në këto dy vitet e fundit shumë ish-bashkëluftëtarë janë intervistuar nga Dhomat e Specializuara, brenda dhe jashtë vendit. Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, Më lejoni të ndaj me ju se të hënën do të udhëtoj për në Hagë si i ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar”, ka shkruar ai në një njoftim në Facebook.
Thaçi ka bërë thirrje për unitet që “t’i përballojmë sfidat me të cilat po përballet vendi”.
“Uniteti qytetar, bashkëjetesa ndëretnike, stabiliteti institucional dhe besimi në institucione janë të domosdoshme që Kosova ta jetësojë vizionin që të jetë pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe të ruajë miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka vazhduar ai.
Pas publikimit të aktakuzës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ndaj Thaçit, kreut të PDK-së, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, presidenti Thaçi kishte paralajmëruar se do të dorëhiqet nëse aktakuza i konfirmohet.