Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka folur për çështjen presidentit që ishte një pikë kyçe e ngecjes së koalicionit me Vetëvendosjen. Ai tha se tanimë është vendosur që kjo të diskutohet kur t’i vjen koha dhe kjo do të bëhet vetëm në mes të dy liderëve, Albin Kurtit dhe Isa Mustafës.
Por, Haziri u tregua i ashpër me të gjithë bashkëpartiakët e tij që “ëndërrojnë” të bëhen president, pasi siç tha ai, LDK e ka vetëm një kandidat për këtë post.
“Ne jemi pajtuar që dy liderët t’i japin zgjidhje çështjes së presidentit. Pra, është çështje e dy liderëve dhe kjo do të ndodhë në mirëbesim. Ne i kemi mbështet. Nuk do të doja të lakoj detaje sepse nuk e di atë që dy liderët e kanë formuluar. Por, nesër m’u mbajtë zgjedhje, Mustafa është kandidati i LDK-së për president. Emri im dhe i askujt nuk është për kandidat. Le ta harrojnë që mund të jenë për kandidatë të gjithë ata që shohin ëndrra. Le ta harrojnë se nuk janë kandidatë. Kjo çështje do të zgjidhet në mirëbesim në mes Mustafës dhe Kurtit”.
Haziri tha për çështjen e taksës tha se edhe partia e tij edhe Vetëvendosja e kanë thënë para zgjedhjeve se do të zëvendësohet me reciprocitet dhe se është vendim i të dyve partnerëve të koalicionit.
“Kjo ka qenë pjesë e marrëveshjes dhe duhet të zbatohet siç jemi marrë vesh. Taksa duhet të suspendohet dhe të vendoset reciprociteti. Jemi të vetëdijshëm që ky proces do pak kohë. Çështja e tarifës dhe e reciprocitetit është debatuar në fushatën zgjedhore guximshëm. Njohësit e fushave përkatëse të reciprocitet njohësit duhet ta zbardhin dhe duhet definuar qartë se çka nënkupton reciprociteti. Sepse nëse vazhdojmë të dëmtojmë Kosovën prapë atëherë s’kemi bërë asgjë”.
Haziri, për deklaratën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq se nuk mund të zbatohet reciprocitet përderisa Serbia s’e njeh Kosovën, tha se kjo tregon kulturën e tij të mbetur në shekullin e kaluar.
“Ai s’e njeh as Kosovën, por e ka më shumë për konsum të brendshëm sepse ka zgjedhje atje. Unë s’e marr seriozisht politikën me dy standarde që e praktikon ai sepse s’është e qëndrueshme”.
“Gjithashtu politika e jashtme amerikane është eksplicite në kërkesën e heqjes së taksës. Nuk do të doja ta shoh Kosovën në ndëshkime politike. Ka ardhur koha që të zbatohet”.
Derisa vetë tha se nuk do të rikandidojë për kryetar të Gjilanit, Haziri u shpreh i bindur se fitorja është në anën e LDK-së në komunën e Podujevës – tani që do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme – edhe pse si rival kryesor e kanë partnerin e tyre në nivelin qendror, Vetëvendosjen.
“Zgjedhjet në Podujevë nuk i shoh si përplasje, por si garë. Në Kosovë, brezat e rinj në profilin e tyre duhet të mësojnë që konkurrenca dhe rivaliteti nuk janë armiqësi. Rivalët politikë në vlerën tonë politike respektohen dhe nuk sulmohen apo ofendohen. Jemi në një moment kthese dhe institucionet duhet të respektohen për shkak të kushtetutshmërisë”.
“Edhe ne me Vetëvendosjen dhe Kurtin pa asnjë lloj problemi kam negociuar, pavarësisht mendimeve dhe ideologjisë ndryshe, qasjes ndryshe. Angazhimi ka qenë që të mirat e dyanshme t’i shkrijmë dhe t’i bëjmë bashkë”.
“Siç themi ne sërish vjen marsi. Unë e kam sigurinë e plotë që do të fitojmë në Podujevë. Ende nuk është vendosur se kush do të jetë kandidati, por ka emra me përvoja dhe emra të mirë që mund të konkurrojnë. Të gjithë ata që bëjnë garë atje duhet të bëjnë në rivalitet të shëndoshë. Podujeva me Istogun dhe me disa komuna tjera kanë arritur të mbijetojnë edhe krizën e 2007-ës”.
Haziri tha se LDK-ja e ka bërë përfaqësimin më të mirë të mundshëm të ministrave në Qeverinë Kurti me njerëz të përgatitur për fushat përkatëse.
“Në këtë kërkesë politike të sotshme është bërë një përfaqësim korrekt. Nuk mund të themi asnjëherë se është më e mira e mundshme”.