Ka të ngjarë që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të kërkojë më shumë ndihmë ushtarake nga SHBA sesa presidenti Joe Biden është i gatshëm të ofrojë.
Kështu së paku shkruan Newsweek, edhe pse Biden thuhet se pritet të zbulojë një paketë ndihme ushtarake prej 2 miliardë dollarësh të mërkurën gjatë vizitës së Zelensky në Uashington, ku ai do të flasë edhe në Kongres.
“Vizita e presidentit Zelensky është në kohën e duhur, duke ardhur pas rezistencës së vazhdueshme nga forcat ukrainase, dhe ndërsa Kongresi i SHBA-së është afër miratimit të një pakete buxhetore që do të përfshijë 27 miliardë dollarë të tjerë në mbështetje për Ukrainën”, ka vlerësuar zëvendës-admirali në pension i Marinës së SHBA-së, Robert Murrett në një deklaratë për Newsweek.
“Simbolika e kësaj vizite, si hera e parë që Zelensky udhëton jashtë Ukrainës që nga fillimi i agresionit rus, gjithashtu nënvizon lidhjen e qëndrueshme dhe jetike midis Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës”, ka vlerësuar Murrett, gjithashtu një profesor.
Washington Post raportoi se njoftimet e Biden do të përfshijnë sistemin e shumëkërkuar të mbrojtjes raketore Patriot.
Por dikush i njohur me diskutimet i tha Politico se Zelensky do të kërkojë Sistemin Raketor Taktik të Ushtrisë me rreze të gjatë (ATACMS), si dhe dronët “Grey Eagle” dhe “Reaper”, shkruan më tej Newsweek.
Pra bëhet fjalë për Sistemin ATACMS, i cili sipas mediumit në fjalë përbëhet nga raketat balistike tokë-tokë të zhvilluara nga Lockheed Martin dhe të përdorura për herë të parë gjatë Luftës së Gjirit Persik të vitit 1991.
Ato vlerësohet se kanë një rreze veprimi deri në 300 kilometra gjë që do të lejonte Ukrainën të godiste thellë në territorin e kontrolluar nga Rusia.
Megjithatë, SHBA-ja heziton t’i dërgojë këto armë nga frika se ato do të përshkallëzojnë luftën dhe do të provokojnë Rusinë që të kundërpërgjigjet në të njëjtën mënyrë.
Në maj, Biden përjashtoi dërgimin e ndonjë arme në Kiev që “mund të godasë Rusinë”, pa specifikuar se për cilat sisteme bëhej fjalë.
Veç këtyre, ushtria e Ukrainës ka kërkuar prej kohësh dronin MQ-1C, ose “Grey Eagle”.
Ai mbart deri në katër raketa “Hellfire” dhe mund të qëndrojë në ajër deri në 27 orë përpara se të furnizohet me karburant dhe ka një rreze veprimi prej 2,500 milje detare.
Në këtë drejtim, më shumë se një duzinë senatorë amerikanë nga të dyja partitë kryesore po e shtyjnë administratën e Bidenit t’i sigurojë Ukrainës një flotë dronësh që mund të sulmojnë anijet luftarake ruse në Detin e Zi.
Megjithatë, ka shqetësime se teknologjia mund të përfundojë në duart ruse nëse rrëzohet.
CNN raportoi në nëntor se Pentagoni ka kërkuar të modifikojë dronin për të mbrojtur aspektet e tij teknike nëse rrëzohet.
Gjithashtu, shkruan Newsweek, në “dëshirat e Zelenskyt” mund të jetë edhe droni i General Atomics MQ-9 Reaper i cili është përshkruar nga MilitaryMachine.com si një “vrasës i pashembullt në ajër”.
Më herët në dhjetor, Politico raportoi se Forcat Ajrore të SHBA-së bënë një hap për të dërguar dronët e saj më të vjetër Reaper në Ukrainë menjëherë pasi Rusia filloi agresionin.
Por si në rastin me Grey Eagle, Pentagoni ishte i shqetësuar për “teknologjinë e ndjeshme dhe se çfarë mund të ndodhte nëse ato rrëzoheshin”.