Anton Quni iu ka bërë ofertë komandantit të Koshares, Hisen Berishës dhe Rrustem Berishës që të bëhen pjesë e kabinetit të tij, mësohet se këto oferta janë duke i shqyrtuar të dy komandantët e Koshares.
Quni në ofertën e tij drejtuar Hisen Berishës, i kishte thënë që të bëhet zëvendësministër i ministrisë së Mbrojtjes, por paraprakisht të bëhet pjesë e LDK-së.
Burime të sigurta të gazetës “Bota sot”, kanë konfirmuar se është duke u diskutuar oferta e Qunit nga komandanti i Koshares, i cili është pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës, por që nuk arriti të marrë votat e duhura për t’u futur në Kuvendin e Kosovës.
Sipas burimit të gazetës Hisen Berisha pritet që të aderoj në LDK ditën e pavarësisë së Kosovës, me 17 shkurt në Koshare.
Tutje, burimi thekson se, synimi i ministrit Anton Quni është edhe rikthimi i Rrustem Berishës në LDK.
Madje, Quni kishte kërkuar nga ish-ministri i Mbrojtjes, që të angazhohet si këshilltar i tij.
Edhe Rrustem Berisha, pritet që pas aderimit të Hisenit në LDK të kaloi edhe ai.
Ky burim bënë të ditur se edhe ish-Ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, do t’i bashkohet LDK-së më 3 maj në ditëlindjen e ish-komandantit të brigadës 138, Agim Ramadani.
Ish-luftëtarët e Ahmet Krasniqit edhe zyrtarisht do të bashkohen nën ombrellën e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kolonel Ahmet Krasniqi ishte Ministër i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës i qeverisë në ekzil dhe komandant i Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës – FARK.
Anton Quni, Rrustem Berisha dhe Hisen Berisha te varri i Ahmet Krasniqit
Anton Quni kishte thënë se Hiseni dhe Rrusta si dhe oficeret e tjerë i ka ‘vëllezër të armës’.
“Hisenin e kam vëlla të armës dhe gjakut, neve na lidh e kaluara, e tashmja edhe ardhmja në mbrojtjen e Republikës së Kosovës dhe ndërtimi i ushtrisë sipas amanetit të Agim Ramadanit”, kishte thënë Anton Quni.
Hisen Berisha gjithmonë ka pasur lidhje shpirtërore me LDK-në, por i lidh edhe beteja e Koshares.
Beteja e Koshares është një ndër luftërat më të ashpra që kishte ndodhur në Kosovë, ku në këtë betejë humbjet e forcave serbe ishin jashtëzakonisht të mëdha.
Anton Quni, Hisen Berisha dhe Rrustem Berisha, por edhe shumë komandantë, dëshmorë e heronj të tjerë, ishin dhe mbetën në historinë e luftës së lavdishme të Kosovës.
Ata ndryshe njiheshin edhe si ushtarë të Ibrahim Rugovës, apo FARK-ut.
Lidhja Demokratike e Kosovës gjithmonë është angazhuar që në momentin e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, përmes ndryshimeve kushtetuese, kjo forcë të quhet Forcë e Armatosur e Republikës së Kosovës (FARK)