Ish zëvendës presidenti amerikan, Mike Pence, deklaroi të shtunën se historia do ta mbajë “përgjegjës” ish-presidentin amerikan Donald Trump për rolin e tij në sulmin e vitit 2021 në Capitol, raportojnë mediat amerikane.
“Presidenti Trump gaboi”, tha Pence, ish-shoku i tij kandidat, në një fjalim në darkën Gridiron, një gala e organizuar nga gazetarë ku morën pjesë figura të profilit të lartë politikë.
“Nuk kisha të drejtë të anuloja (rezultatin e) zgjedhjeve. Dhe fjalët e tij të pamatura rrezikuan familjen time dhe të gjithë në Capitol atë ditë. Dhe e di që historia do ta mbajë përgjegjës Donald Trumpin”, tha Pence, cituar nga shumë media.
Në mesin e mijëra protestuesve që pushtuan Capitolin në Washington më 6 janar 2021, disa kishin kërkuar që Pence të varej, duke e detyruar zëvendës presidentin e Trump të nxitonte në një vend të sigurt.
Vërejtjet me siguri do të thellojnë përçarjen mes dy politikanëve, të cilët kanë qenë në mosmarrëveshje që kur Mike Pence refuzoi të mbështeste Donald Trump në përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të 2020 dhe për të qëndruar në pushtet.
Donald Trump tashmë e ka bërë publike synimin e tij për të kandiduar për një mandat të ri në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 dhe Mike Pence ka treguar se ai mund ta sfidojë atë për nominimin e Partisë Republikane.