Kemi dëgjuar shpesh herë në dekadën e fundit alarmin mbi të ardhmen e naftës, burimet e të cilës mund të shteronin nga një moment në tjetër. Një alarm i kuptueshëm, nga momenti që shoqëria globale lëviz dhe përparon falë atij karburanti, dhe në situatën ku në vitin 2008 me krizën financiare, fuçia kapte pothuajse kuotën e 150 dollarëve.
Sidoqoftë, ajo që mund të thuhet ditët e fundit është që jo vetëm sasia e naftës është e madhe, tek vendet prodhuese, por që kriza e pandemisë e ka ulur çmimin në nivelin më të madh të regjistruar ndonjëherë.
Indikatori Wti, që vlerëson naftën amerikane, dje ra me 40% duke shënuar vlerën 11 dollarë për fuçi, dhe sot po shënon rekord negativ duke u ulur poshtë 1 dollarit.
Mund të thuhet se nafta amerikane, të paktën ditën e sotme, ka humbur çdo vlerë. Një situatë dramatike, jo vetëm për SHBA-në, dhe që varet nga disa faktorë, të brendshëm dhe ndërkombëtarë.
SHBA-ja përmes teknikave të avancuara ka filluar të prodhojë në territorin e saj një sasi më të lartë nafte, duke u shndërruar në një prodhues global, pothuajse i pavarur nga Lindja e Mesme. Por në uljen marramendëse të këtyre ditëve shkaku është vetëm një, bllokimi i pothuajse çdo aktiviteti nga pandemia e koronavirusit.
Me fabrika, automjete, aeroplanë që si asnjëherë më parë janë detyruar të fikin motorët për muaj të tërë, sasia e naftës në stok është tashmë e papërballueshme për Shtetet e Bashkuara. Mungojnë, faktikisht edhe vendet e magazinimit, nga momenti që ato ekzistuese janë tashmë plot.
Këtyre problematikave i shtohen situata globale, ajo e ndikuar nga pandemia, por edhe “fërkimet” e shpeshta të dy nga prodhuesit më të mëdhenj, Rusia dhe Arabia Saudite, në lidhje me “prerjen” e prodhimit, e domosdoshme për të mbajtur çmimet e indikatorit BRENT, atë ndërkombëtar, në një kuotë të arsyeshme, që e bën të leverdisshëm prodhimin.