Holanda është në mesin e disa prej shteteve të Bashkimit Evropian që po e pengojnë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Holandës, Bo de Koning, ka bërë të ditur se argumentet e ofruara nga institucionet e Kosovës për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk kanë qenë mjaft bindëse deri më tani.
Koning ka përmendur mbledhjen e fundit të Këshillit të Evropës në të cilën nuk ka pasur përkrahje të mjaftueshme për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Përveç Holandës, një gjë të tillë po e vështirësojnë edhe qëndrimet e shteteve, si Franca dhe Belgjika, të cilat po kërkojnë hapa më konkret në luftimin e këtyre dukurive negative.
“Deri më tani, në Këshill ka përkrahje të pamjaftueshme për liberalizimin e vizave për Kosovën. Siç e dini, liberalizimi i vizave është një proces teknik, i cili drejtohet nga standardet që duhet t’i përmbushë një vend në mënyrë të qëndrueshme, para se Këshilli të marrë vendim për heqjen e vizave. Kur Komisioni Evropian së fundi raportoi për këtë çështje, shteti i Holandës arriti në përfundim se konkluzionet për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivelin e lartë nuk ishin mjaft bindëse”, ka thënë Koning për KP.
Më tej, ajo bëri të ditur se aktualisht nuk ka ndonjë vizitë të planifikuar të këtyre delegacioneve në Kosovë për shkak të formimit të qeverisë së re në Holandë. Megjithatë, ajo theksoi edhe një herë gatishmërinë e këtij shteti për ta ndihmuar Kosovën në këtë proces.
“Kosova mund të llogarisë në mbështetjen tonë përmes projekteve, këshillave dhe ekspertëve për të arritur këto rezultate të qëndrueshme në luftimin e këtyre dukurive”, shtoi ajo.
Zëdhënësja e diplomacisë holandeze i ka quajtur inkurajuese planet e Qeverisë aktuale për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivel të lartë.
“Për Holandën është e rëndësishme që korrupsioni i nivelit të lartë jo vetëm të ndiqet penalisht, por të ketë edhe zbatim efektiv të dënimeve ndaj atyre që janë përgjegjës. Planet e Qeverisë për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar janë inkurajuese, andaj po presim të shohim rezultatet, meqë kjo është një nga prioritetet e tyre”, ka deklaruar Koning.
Krejt në fund, ajo tha se qeveritë e Holandës dhe Kosovës janë në kontakt të vazhdueshëm në Prishtinë përmes autoriteteve përkatëse.
Në mbledhjen e fundit të Komisionit për Integrime Evropiane, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi tha se problem për procesin e liberalizmit të vizave për Kosovën nuk janë pesë shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën, por shtetet si Franca dhe Holanda, të cilat janë të pakënaqura me luftën që ka bërë Kosova kundër krimit dhe korrupsionit.
Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, i cili nuk ka liberalizim vizash, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për të përmbushur kriteret e përcaktuara nga Bashkimi Evropian për këtë proces.