Kryeministri Avdullah Hoti është duke u treguar dorëlirë me nënshkrimin e vendimeve për të emëruar zëvendësministra nëpër dikasteret qeveritare.
Zyra e Kryeministrit ka konfirmuar për KOHËN se deri tani janë emëruar 46 zëvendësministra.
LDK-ja nuk e ka mbajtur premtimin se nuk do të ketë më shumë se dy zëvendësministra për ministri, ngase të paktën në tri prej ministrive numri i tyre ka shkuar në pesë.
Në Ministrinë e Kulturës, që udhëhiqet nga Vlora Dumoshi, janë emëruar 5 zëvendësministra. Nga LDK-ja Engelbert Zefaj, AAK-ja me 2 të tillë, Halil Matoshi e Arbër Grabovci. Ndërsa, Valdete Bajrami e Nismës Socialdemokrate dhe Qazim Rrahmani nga Partia e Ashkalinjve për Integrim.
E rritja e numrit të zëvendësministrave, sipas shoqërisë civile, po bëhet për të akomoduar njerëzit e partive në koalicionin qeverisës.
Qeveria e Kosovës ka prezantuar projektligjin për Qeverinë, që synon ta miratojë gjatë korrikut.
Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri thotë se me projektligjin për Qeverinë është paraparë të jenë 15 ministri dhe 2 të tjera në diskrecion të mandatarit.
Derisa Qeveria synon që me ligj të saktësojë numrin e zëvendësministrave në rreth 40, ekzekutivi aktual tashmë e ka tejkaluar këtë numër.
Mirëpo, nënkryetari i AAK-së, Blerim Kuçi, që udhëheq me Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, ka po ashtu 5 zëvendësministra, tre prej tyre nga kjo parti, Rexhep Kadriu, Muharrem Nitaj, e Burbuqe Bakia-Deva. Kjo ministri ka konfirmuar për televizionin se në postin e zëvendësministrit janë emëruar edhe Muharrem Sfarqa i LDK-së dhe po ashtu edhe Sema Ispahiu.
Edhe Ministria e Bujqësisë ka po ashtu 5 zëvendësministra.
Aktualisht paga e zëvendësministrit është 1.300 euro. 46 zëvendësministrat për një muaj i kushtojnë buxhetit të shtetit rreth 59 mijë e 800 euro.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që udhëhiqet nga Meliza Haradinaj-Stublla e AAK-së, ka 4 zëvendësministra.
Sekretari i LDK-së, Arban Abrashi, që udhëheq me Ministrinë e Infrastrukturës ka afër vetes 4 zëvendësministra, në mesin e tyre bashkëpartiakun Arton Retkoceri dhe 3 zëvendësministra të tjerë burra.
Në thuajse të gjitha web faqet e ministrive nuk janë publikuar emrat e zëvendësministrave dhe këshilltarëve politikë.
Kampion me zëvendësministra ishte qeveria e koalicionit PAN, që drejtohej nga Ramush Haradinaj, e cila kishte më shumë se 80 të tillë.