Kryeministri i sapozgjedhor i Kosovës, Avdullah Hoti ka qëndruar sot në Prekaz, ku edhe ka bërë homazhe në kompleksin memorial të familjes Jashari.
Hoti falënderoi Bekim Jasharin për pritjen që i bëri atij dhe kabinetit qeveritar, si Kryetar i Skenderajt, por edhe si familjar i Jasharëve.
“Ne sot bashkë me kabinetin qeveritar erdhëm për të filluar edhe ditën e parë të punës me nderimet që bëjmë në këtë vend të shenjtë. Falënderoj kryetarin dhe anëtarin e familjes për pritjen që na e bëri. I premtoj se do të ketë gjithë kujdesin e nevojshëm sepse ky vend do të jetë i shenjtë përgjithmonë, ku kryhen nderimet e nevojshme dhe ku do të jenë pjesë e memories shqiptare gjithmonë”, tha Hoti, shkruan Indeksonline.
Hoti gjithashtu u pyet për idenë e formimit të një qeverie me karakter të unitetit kombëtarë, ku do të drejtohej nga kryeministri Murat Jashari.
“Unë iu kisha lut për mirëkuptim, emri i tij është simbol i kësaj familje dhe s’ka njeri në Kosovë që nuk e respekton por kanë ndodhur disa procese tjera kushtetuese kemi marrë detyrën dhe do të bashkëpunojmë me të gjithë për të krijuar stabilitetin në Kosovë, pa marrë parasysh dallimet politike që kemi”tha ai.