Ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh deputet i LDK-së, Avdullah Hoti ka kritikuar Qeverinë e Kosovës se nuk ka marrë asnjë veprim për të zbutur ngarkesën për qytetarët.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka deklaruar se çmimet në muajin qershor të këtij viti janë rritur mesatarisht 14 për qind krahasuar me qershorin e vitit 2021.
Ai ka thënë se kjo rritje për produktet kryesore ka qenë shumë e madhe.
Hoti ka kritikuar Qeverinë edhe sa i përket çmimit të derivateve të naftës, duke thënë se për çdo litër të naftës, Qeveria merr 61 centë, ndërsa po ta pezullonte akcizën, sot çmimi i naftës do të blihej me 1.39 euro për litër.
Postimi i plotë:
Çmimet në qershor 2022 u rritën mesatarisht 14% krahasuar me qershorin e vitit të kaluar. Por, për produktet kryesore rritja ishte shumë më e madhe:
– Vajrat dhe yndyrat ushqimore (53,8%),
– Karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (67,3%),
– Gazi (39,3%),
– Buka dhe drithërat (27,7%),
– Qumështi, djathi dhe vezët (22,3%),
– Mishi (19,6%),
– Sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat (19,0%),
– Prodhime të ndryshme ushqimore salca, erëza kripë, ushqim për fëmijë etj. (12,8%),
– Perimet (6,8%),
– Lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (33,6%),
Sot, 12 korrik 2022, çmimi i naftës është caktuar 1.75 euro për litër. Për çdo litër të naftës, qeveria mbledh 61 centë. Sikur Qeveria të pezullonte akcizën në naftë, sot çmimi i naftës do të bëhej 1.39 euro për litër.
Qeveria nuk ka marrë asnjë veprim për të zbutur ngarkesën për qytetarët.
Nuk është pezulluar akciza në naftë, nuk është shtuar lista e mallrave me TVSH prej 8%, nuk janë rritur pagat në sektorin publik, nuk janë indeksuar pensionet dhe ndihma sociale.