Administrata Tatimore e Kosovës e ka obliguar hoxhë Mazllam Mazllamin që të paguaj tatimin për veturën të cilën e mori dhuratë në vitin 2023 nga xhemati. Kjo pasi i njëjti siç raportoi KALLXO.com, nuk e kishte deklaruar ndonëse vetura mund të kapte vlerë më shumë se 5 mijë euro.
Një hulumtim i KALLXO.com zbuloi se hoxha nga Prizreni, Mazllam Mazllami nuk e kishte deklaruar në ATK pranimin e veturës dhuratë nga xhemati.
Në vitin 2023 gjatë ceremonisë së pensionimit në të cilën po merrte pjesë edhe Myftiu i Kosovës, Naim Ternava, hoxhës nga Prizreni Mazllam Mazllami i ishte bërë dhuratë një veturë Mercedes Benz.
Hoxhë Mazllami nuk ka dashur që të përgjigjet se pse nuk e lajmëroi veturën që mori dhuratë në ditën e pensionimit të tij, por tha se ishte marrë vesh me ATK-në për këtë çështje
Në pyetjet e KALLXO.com për përgjigjet e hoxhës Mazllami, ATK është përgjigjur se i njëjti kishte deklaruar se nuk e dinte që duhej të paguhej për një dhuratë të tillë.
Në bazë të të dhënave të ATK-së, hoxhë Mazllami kishte deklaruar tatimin për veturën 633 euro e 60 cent.
“Pas intervistimit është konstatuar që personi në fjalë nuk ka deklaruar për qëllime tatimore dhuratën e pranuar, sipas tij nuk ka pas njohuri që duhet të bëhet deklarimi i tij. Tatimpaguesi ka deklaruar dhuratën e pranuar me deklaratën DI, dhe ka rezultuar me 633.60 € tatim shtese (baza)”- thuhet në përgjigjen e Administratës Tatimore të Kosovës për KALLXO.com.
Po ashtu për të njëjtin ATK thotë se nuk ka pasur numrin fiskal për çka edhe i është dhënë kjo e drejtë dhe i është dhënë hapësira për qasje në deklarim.
Përveç tatimit që është paguar, rasti nuk ka përfunduar. Kjo pasi që ATK rastin e Mazllamit e ka dërguar edhe për trajtim të mëtutjeshëm për administrimin e procedurave tatimore.
Në bazë të përgjigjes së ATK-së për KALLXO.com, tashmë rasti i hoxhë Mazllamit do të trajtohet për dokumentim të të dhënave të Ligjit për Administrimin për Procedurat Tatimore si dhe për regjistrim të tatimpaguesit.
“Rasti është dërguar në Zgjona për trajtim mëtejshëm sipas Ligjit Nr. 08/L – 257 për Administrimin e Procedurave Tatimore – Neni 6 Krijimi dhe mbajtja e regjistrave – Paragrafi 1,si dhe neni 4,paragrafi i për mospajisje me numër fiskal”- ka njoftuar ATK për KALLXO.com në lidhje me veprimet shtesë që do të ndërmerren ndaj hoxhës Mazllami.
Neni 6 i Ligjit flet për krimin dhe mbajtjen e regjistrave, gjë që obligon tatimpaguesit që të mbajnë librat dhe regjistrat në pajtim me legjislacionin tatimor në fuqi.
“Një person i cili ka detyrim të paguajë ose të mbajë në burim tatime dhe kontribute, krijon regjistra të llogarive me shkrim ose në formë elektronike, të cilat përcaktojnë detyrimin e tyre për pagesë”- thuhet në Ligjin për Administrimin e Procedurave Tatimore, neni 6 paragrafi 1.
E neni 4 i këtij Ligji flet për regjistrimin e tatimpaguesit për çka edhe ATK kishte konsideruar se Mazllami nuk kishte fare qasje në tatim për çka edhe i ishte dhënë e drejtë për këtë.
“Çdo person i cili i nënshtrohet ndonjë lloj tatimi të administruar nga ATK, regjistrohet në ATK dhe pajiset me një numër fiskal para se të angazhohet në ndonjë veprimtari ekonomike”- thotë Neni 4 i Ligjit paragrafi 1.
Sipas ligjit çdo dhuratë në vlerë mbi 5 mijë euro duhet të deklarohet në ATK dhe për të, të paguhet tatimi në të hyra, procedurë kjo që nuk është ndjekur nga imami tashmë në pension, Mazllam Mazllami.
Në vitin 2023 në rrjetet sociale u publikuan pamje në të cilat një veturë luksoze e tipit “Mercedes Benz” i ishte bërë dhuratë hoxhës nga Prizreni, Mazllam Mazllamit në ditën kur ai mblodhi miq e shokë në një iftar, në të cilin u shënua edhe pensionimi i tij.
Ndonëse hoxhë Mazllami tha se dhurata është modeste, një veturë e vjetër, por në media u publikua fotografia e veturës e tipit Mercedes.
“Jam punëtor i Bashkësisë Islame të Kosovës që 34 vite në Prizren, merrem me islam mbi 40 vite. Pasi po iki në pension, ka qenë hedije prej shokëve e miqve, të cilëve ju ka ra ndërmend të bëjnë një suprizë – makinë modeste. Është makinë modeste sepsë është e vjetër”- pati thënë hoxhë Mazllami në Debat Plus më 12 prill 2023.
Ndonëse e kishte marrë këtë dhuratë, hoxhë Mazllami të njëjtën nuk e kishte deklaruar tek të ardhurat si dhurata ashtu siç edhe e kërkon Ligji për Tatimin mbi të Ardhurat Personale.
Administrata Tatimore e Kosovës ka konfirmuar për KALLXO.com se hoxha Mazllami nuk e ka deklaruar dhuratën që kishte marrë në prill të vitit 2023.
“Lidhur me pyetjet e adresuara, ju njoftojmë se zt.Mazllam Mazllami nuk e ka deklaruar veturën e dhuruar, andaj ATK është duke ndërmarr të gjitha veprimet ligjore”- thuhet në përgjigjet e ATK-së dhënë për KALLXO.com.
Shuma e saktë e kësaj veture nuk dihet, ndërsa KALLXO.com ka tentuar që të marrë një qëndrim edhe nga vetë hoxhë Mazllami në lidhje me këtë rast.
Në telefonatën që ekipi i KALLXO.com pati me hoxhë Mazllamin, i njëjti tha se është marrë vesh me ATK-në, por nuk tregoi saktësisht nëse e ka deklaruar këtë veturë.
“Na jemi marrë vesh me ta komplet, kjo punë nuk dilet në gazetë m`u bo horë një dhuratë që ma kanë dhanë. A je gazetare ti motër, kaloni mirë, kaloni shumë mirë. Nuk mundem me ju dhanë se gazetarëve nuk ju kem besë boll. Ne jemi marrë vesh, këto punë nuk dalin në gazetë, ne jemi marrë vesh me ATK-në. Po ata kanë kthyer, ne jemi marrë vesh e kemi kryer obligimin”- tha Mazllami në telefon për KALLXO.com.
Ligji për të ardhurat personale, neni 14 thekson qartë detyrimet që kanë personat fizik. Në këtë ligj përmenden edhe të ardhurat e tjera përfshirë edhe dhuratat e të cilat duhet të deklarohen.
“Dhuratat në para apo gjësende të pranuara nga rezidentët përfshihen në të ardhurat tjera, nëse dhuratat e tilla tejkalojnë shumën pesëmijë euro (5,000 €) në një periudhë tatimore”- thuhet në paragrafin 2 të nenit 14 të Ligjit për të ardhurat personale.
Më 10 prill 2023, ishin publikuar një mori fotografish në ceremoninë e cila zbuloi edhe veturën luksoze e cila iu dhurua hoxhës Mazllami në ditën e pensionimit të tij.
Atë ditë kur ishte bërë edhe dhurata, hoxhë Mazllami ishte pjesë e një iftari që ishte shtruar në Prizren me qytetarë të shumtë në mesin e tyre edhe imamë e hoxhallarë të ndryshëm.
Vetura e marrë si dhuratë sipas hoxhës Mazllami është e vitit 2013.