Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj ka deklaruar se reciprociteti i plotë me Serbinë arrihet përmes koordinimit me aleatët, me në krye SHBA-të dhe jo përmes veprimeve “klandestine” duke aktruar dhe bërë spektakle në mesnatë siç veproi qeveria në ikje Kurti.
Në një postim në Facebook, nënkryetari PDK-së, ka thënë se Kosova është shtet i pavarur dhe i barabartë në rajon, duke ju falënderuar ndihmës dhe bashkëpunimit të sinqertë dhe konstruktiv me miqtë ndërkombëtarë.
“Arritjet tona, janë sukses i përbashkët me aleatët, andaj edhe duhet që të sillemi partner serioz dhe jo si mashtrues. Nga premtimi para një jave për gatishmërinë e rifillimit sa më të shpejt të dialogut, kryeministri u kthye mbrëmë në mesnatë në njeriun që nuk i intereson e ardhmja e Kosovës por vetëm e ardhmja e tij personale politike”, thotë Hoxhaj.
Sipas tij, dialogu duhet të jetë përgjegjësia e secilës qeveri.
“Përmes tij kemi arritur që në koordinim dhe me mbështetje të plotë ndërkombëtare, ta shtrijmë sovranitetin në veri dhe zbatimin e masave reciproke ndaj Serbisë.
Edhe reciprociteti i plotë dhe njohja e ndërsjellë do të arrijë në koordinim dhe përkrahje të SHBA-ve dhe BE-së, ashtu siç e kemi shpallur Pavarësinë, formuar ushtrinë dhe siguruar njohje e anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, ka shkruar ai në Facebook.