Hoxha nga Prishtina, Shefqet Krasniqi, ka komentuar më një shkrim të gjatë rezultatin e zgjedhjeve në Kosovë, duke thënë së uk ka ‘fitues e humbës’, por ka ngritje dhe rënie.
Shkrimi i plotë:
Nuk ka ‘fitues e humbës’, por ka ngritje dhe rënie
(Këshillë e hapur, pa-politikë, politikës dhe politikanëve)
‘Përderisa pushteti është përgjegjësi dhe barrë goxha e rëndë, atëherë edhe pushimi prej saj, qoftë edhe për një kohë të caktuar, është begati. Andaj as mos të gëzohen shumë ata që fituan e as mos të pikëllohen shumë ata që nuk fituan. Fitorja është për burra, por edhe humbja gjithashtu është për burra, asnjëra e as tjetra nuk janë turp, por janë pjesë të natyrshme të jetës, janë procese jetësore.’
Zgjedhjet e 6 tetorit përfunduan dhe rezultatet po dihen. Dikush u gëzua e sigurisht se dikush u pikëllua. Krejt kjo jo vetëm që është normale në çdo garë, por kështu është pothuajse në çdo hap të jetës. Zaten, tërë jeta e njeriut është e tillë, gëzim e hidhërim, rënie e ngritje, lodhje e pushim, shëndet e sëmurje, e kështu me radhë. Populli ynë ka një të kaluar të hidhur, por përplot përvoja. Dikur moti populli thoshte “mos u gëzo shumë për një të mirë që e ke, ngase ashtu siç nuk e ke pasur fare dikur ajo mund të të ik prej dore”. Çdo gjë merre me një lloj “kandari”, pra me një mesatare, si gëzimin ashtu edhe hidhërimin, si të keqën ashtu edhe të mirën.
-Çdo gjë në këtë dynja ka ngritje e rënie, prandaj është e logjikshme që pas çdo ngritjeje të vjen rënia. Ky është, në fakt, ligj i Zotit në këtë tokë. Nga ky ligj nuk kanë mundur të shpëtojnë as vet fetë, ato herë kanë pasur ngritje e herë rënie. Madje, nganjëherë devijime aq të mëdha sa janë shkrirë fare. Edhe vet Feja Islame, e cila konsiderohet e fundit dhe përmbyllëse për njerëzimin, ani pse vazhdon të jetë e përkryer si fe, por në shoqëri, në terren, ka përjetuar ngritje dhe rënie. Po këtij ligji të natyrshëm nuk i shpëtuan as mbretëritë e as perandoritë më të mëdha të cilat dikur sundonin botën. Disa patën ngritje të hatashme, ishin civilizime gjigante, por, megjithatë, më vonë ato pësuan tkurrje e rënie saqë disa u zhdukën tërësisht. Shumë nga këto civilizime tashmë i dimë vetëm përmes dëshmive historike. Disa nga ato civilizime e pushtete të mëdha i cek i madhi Zot në Kuran. Përveç tjerash sigurisht për të na treguar madhërinë e Tij; se pushteti absolut i takon vetëm Atij. Vetëm Zoti nuk pëson ndryshime, përndryshe çdo krijesë e tij duhet të ndryshojë. Edhe njeriu është i ndryshueshëm dhe pëson ndryshime. Ai lind i vogël që nuk di asgjë, pastaj rritet, mësohet, zhvillohet, bëhet i zoti i vetes, e shpesh edhe zotëri i të tjerëve. Më pas dalëngadalë vjen pleqëria, lodhet, i dobësohen shqisat, humb kujtesën dhe dikur bëhet gati si fëmijë.
Meqë ky qenka një fakt i pamohueshëm, atëherë përse mos të jenë subjekt i këtij ligji edhe partitë politike, jo vetëm në vendin tonë por gjithandej nëpër botë? Nëse ata që nuk fituan zgjedhjet në Kosovë, kanë menduar se pushteti i tyre do të jetë përgjithmonë, atëherë sigurisht se nuk e paskan kuptuar këtë ligj të Zotit në tokë. E njëjta gjë vlen edhe për ata që korrën sukses në këto zgjedhje. Le të mos mendojnë as këta se pushteti i tyre do të jetë përgjithmonë. Pra duhet që të dyja palët ta kuptojnë se ligjet që Zoti i ka vendosë në jetën tonë mbeten të qëndrueshme dhe se ato nuk ndryshohen orë e çast.
-Fitorja nuk është gjithherë sukses; njeriu për të qenë i suksesshëm nuk duhet medoemos të fitojë gjithmonë. Shpesh ndodh që njeriut t’i ndihmojë disfata e herë-herë edhe dështimi. Shembulli më i thjeshtë për këtë është sëmundja, ani pse njeriu nuk e dëshiron sëmundjen dhe gjithmonë ankohet kur sëmuret, megjithatë, pas sëmundjes ai këndellet më shumë dhe ia di vlerën shëndetit edhe më shumë. Ngjashëm me këtë janë edhe varfëria, uria, skamja etj. Përmes këtyre sprovave njeriu vetëdijesohet në lidhje me vlerën e pasurisë dhe begative që posedon. Kështu duhet të jetë edhe me partitë. Disfata shumë herë u ka bërë dobi edhe ushtrive më të mëdha, ngase nga një disfatë ndodhë që ato ushtri të kenë mësuar shumë gjëra e taktika që nuk kanë ditur më parë.
-Nga ana tjetër, të gjithë duhet ta kuptojmë se pushteti nuk është privilegj. Secili që mendon se pushteti apo pozita është privilegj e ka gabim. Pushteti është përgjegjësi, madje shumë e madhe. Ai që merr një post duhet uruar, por në njëfarë forme edhe ngushëlluar p.sh. t’i thuhet: Zoti të ndihmoftë në këtë përgjegjësi apo detyrë të re.
Përderisa pushteti është përgjegjësi dhe barrë goxha e rëndë, atëherë edhe pushimi prej saj, qoftë edhe për një kohë të caktuar, është begati. Andaj as mos të gëzohen shumë ata që fituan e as mos të pikëllohen shumë ata që nuk fituan. Fitorja është për burra, por edhe humbja gjithashtu është për burra, asnjëra e as tjetra nuk janë turp, por janë pjesë të natyrshme të jetës, janë procese jetësore.
-Shoqëria ka nevojë për ripërtëritje; Çdo shoqëri, çdo familje dhe çdo individ ka nevojë për ripërtëritje, madje edhe vet fetë qiellore të Allahut xh.sh. kanë pasur nevojë për ripërtritje, këtë na e vërteton dërgimi i pejgamberëve njërit pas tjetrit, pastaj librat e shenjta, dërgohen njëra pas tjetrës. Nga kjo nevojë nuk është përjashtuar as Feja Islame, për të cilën ka thënë Pejgamberi Muhamed (paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të): “Allahu i dërgon këtij umeti në krye të çdo njëqind vitevet (ndonjë njeri) i cili ua ripërtërinë atyre fenë e tyre”. Andaj secila gjeneratë ka pasur nevojë për ripërtëritje në çdo fushë, pra edhe në fe, e njëjta gjë vlen edhe sot e kësaj dite. Se këndejmi pse mos ta shohim ardhjen e opozitës në pozitë dhe pozitës në opozitë si një lloj ripërtëritje!
-Kohëzgjatja e një pushteti varet prej vetë pushtetarëve. Dihet se ardhja në pushtet arrihet përmes votës, por sa qëndron dikush në pushtet varet nga vetë pushtetarët. Kjo do të thotë se nëse ata punojnë mirë dhe ia dëshmojnë popullit sinqeritetin e tyre, punën dhe angazhimin e palodhshëm, atyre sigurisht se do t’u zgjatet pushteti. E nëse veprojnë të kundërtën, atëherë, pushteti vetëm sa i korit dhe shumë shpejt largohen nga aty.
-Nuk është me rëndësi kush është në pushtet, por shumë me rëndësi është çfarë punon apo vepron ai pushtet për shtet. Populli tashmë ka filluar të vetëdijesohet ashtu që të mos shikojë kush është në pushtet, por të shikoj kush është në shërbim të popullit. Kjo edhe njëherë konfirmon atë që potencuam se pushteti nuk është privilegj, por përgjegjësi. Pushteti është shërbim, detyrë dhe përgjegjësi për rregullim e jetesës dhe mirëqenies se qytetarit. Fundja të gjithë jemi pjesë e këtij vendi, jemi vëllezër dhe motra, bijë dhe bija të këtij dheu e mëmëdheu.
Të nderuar, përmes këtyre rreshtave nuk kam qëllime politike e as synim t’i mbaj krahun dikujt. Dua thjesht ta them një të vërtetë dhe t’i mbaj krahun të drejtës, në cilindo krah qoftë ajo. Po kështu dëshiroj të ofroj një këshillë, meqë kjo është përgjegjësia ime si njeri i fesë, pa dashur asnjëherë të përzihem në politikë apo të merrem me aktivitete politike.
Mendoj se pas këtyre zgjedhjeve të gjithë jemi fitues, secili aq sa ka punuar, andaj urime të gjithëve fitorja. Ata që kanë fituar ngritje, le t’i provojmë e t’i shohim sa të qëndrueshëm e sa të besueshëm ndaj popullit, kombit dhe vendit të vet do të jenë. Ata që kanë pësuar rënie, letë pushojnë e le të përmirësohen. Kjo botë është ‘rrotë’ siç thotë populli, e rrota sillet herë andej e herë këndej.
Për fund mbetem me shpresë dhe lutëm që Zoti të ruaj këtë vend, t’i ruaj këta njerëz e t’u japë sukses e bereqet të gjithë atyre që mundohen për të mirë të këtij vendi e të kësaj shoqërie. Amin!
Sinqerisht, vëllai i juaj Shefqet Krasniqi