“Protection and Preservation of Natural Environment in Albania” PPNEAs në malin e Munellës vijon të monitorojë dhe fotografojë jetën e kafshëve të egra në malin e Munellës.
Në pamjet e publikuara së fundmi duket rrëqebulli i Ballkanit një specie kjo që është në rrezik zhdukje, por së fundmi është parë një riprodhim i tyre që ngjall shpresë se specia mund të shtohet.
“Një individ i maturuar rrëqebulli është filmuar nga kamerat kurth duke kaluar shumë pranë kutisë kurth të vendosur në malin e Munellës, por e çaktivizuar përpara kohës së planifikuar të studimit për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19. Ekipi i monitorimit të rrëqebullit ishte në pritje të marrjes së një sinjali për aktivizimin e kutisë kurth gjatë periudhës shkurt–mars 2020, por edhe këtë vit nuk pati fat.
Gjurmët e gjetura në zonë dhe fotot e marra nga kamerat kurth tregojnë se ai kaloi shumë pranë kutisë kurth, por nuk e aktivizoi atë. Ky fakt na bëri të mendojmë që kishim të bënim me një individ “sfidues” ndaj ekipit të PPNEA.
Në këtë filmim shihet se pasi e ka studiuar mirë, ky individ i rrëqebullit ka vendosur të mos kalojë përmes kutisë për të na treguar se këtë vit nuk ishte gati për tu pajisur me një “kollare” gjurmuese dhe pse në fakt kutia ndërkohë ishte e çaktivizuar.
Duam t’ju kujtojmë se kapja e rrëqebullit me metodologjinë e kutisë kurth ka si qëllim vendosjen e një transmetuesi satelitor dhe marrjen e të dhënave gjenetike të këtij lloji, duke mundësuar kështu një informacion më të detajuar për llojin dhe territorin që përdor.” thuhet në postimin e PPNEA.
Rrëqebulli i Ballkanit ka një pamje të jashtme si të gjithë pjesëtarët e tjerë të gjinisë Lynx. Madhësia trupore është pak më e vogël se ajo e rrëqebullit të Eurazisë. Është një mace me këmbë të gjata dhe robuste.
Gëzofi është i verdhërremë-murrmë në verë, më i zbehtë në dimër, shumë laraman në këmbë, por me më pak lara mbi shpinë. Njollat mund të jenë të zbehta dhe të bashkuara në një formë pothuajse të rozetës, duke dhënë përshtypjen e të qenurit të mëdha; ato variojnë në madhësi, formë dhe intensitetin e ngjyrës.
Kafshët kanë një kokë relativisht të vogël, këmbë të gjata, dhe një bisht shumë të shkurtër me majë të zezë. Fytyra e tyre është e shkurtër dhe e rrumbullakët, me një “mjekër” karakteristike në të dyja anët, që spikat veçanërisht te adultët, dhe veshët trekëndorë mbarojnë me një xhufkë të zezë.
Këmbët janë të gjera (afro 10 cm), dhe gishtat e këmbës fshehin kthetra që mund të futen përbrenda (artilie). Gjatësia e kokës dhe trupit 80–130 cm. Gjatësia e bishtit 11–25 cm. Gjatësia e këmbës së pasme 19-22.5 cm. Lartësia në supe 60–75 cm. Pesha 18–25 kg.