E mbytur në lot, në dëshpërim për dhimbjen dhe goditjet që vazhdimisht jeta i ka dhënë. Shpresa Gjeci humbi disa vite më parë djalin e më pas bashkëshortin dhe nga 26 nëntori humbi edhe të vetmen strehë që kishte mundur të krijonte me familjen e saj të vogël që u shua në pak kohë.
E vetmja strehë ku mund të qëndronte ishte ajo e babait të saj në fshatin Shkallë. Dhomat e vogla ku mjerimi dhe varfëria kishin gjetur strehë prej vitesh, atë mëngjes nëntori se mbajtën dot peshën. E gjithësesi aty vijojnë të mbajnë ende frymën gjallë 4 pjesëtarë të familjes Tola.
“Kanë ardhur vetëm vetëm kryeplaku i fshatit me këtë kryetarin e lagjes, e kanë parë dhe asgjë, asnjë lloj ndihme, asnjë lloj të ardhure”, shprehet vëllai i Shpresës.
Nuk e dinë se si do të mbushin ato gropëza të krijuara në mure gjatë dimrit të ftohtë, ndaj nevojën e kanë të madhe për ndihmë.
Me shikimin e pikëlluar të nënës, Xhemilja është e dorëzuar teksa sheh rrënim në strehën dhe jetët e fëmijëve të saj. Ndërsa Shpresa belbëson dhimbjen dhe mbyt në lot dëshpërimin për dënimin e pamerituar që ka marrë në gjithë këto vite.
Shtëpia është e vjetër e gjysëm e shembur. Pret vetëm shiritat që do të ndajnë familjen Tola nga vdekja, që fatmirësisht nuk erdhi nga lëkundjet e tërmetit por që i kërcënon çdo ditë deri kur rezistenca e atyre mureve të marrë fund.