Hyn në fuqi skema për bujqësinë, 50% e investimit grant nga shteti, si mund të përfitoni?

Me qëllim mbështetje 50% të vlerës së investimit si grant nga shteti, fermerët dhe bujqit shqiptar do të kenë mundësinë të aplikojnë duke filluar nga 1 tetori. Skema Kombëtare e Investimeve me një vlerë 5 milionë euro ka hyrë tashmë në fuqi dhe parashikon të ndihmojë investimet që do të bëhen në sera, stalla, në makineri bujqësore dhe peshkim.

“Jemi të vonuar në dhënien e një suporti fermerëve dhe investimeve në ferma për shkak të ndalesës së IPARD. Për aq muaj sa kanë ngelur 5 milionë euro është një fond i mirë”, shprehet Ilir Pirku.

Teksa blegtoria po shuhet me numra që arrijnë deri në 35 mijë më pak në një vit, skema përfshin për herë të parë dhe mbështetje për mbarështimin. Gjysma e investimit në stalla për mbarështimin e kafshëve dhe rritje të stabilimenteve do të mbulohet nga shteti, por nuk do të jepen më shumë se 15 milionë lekë për subjekt. Ata të cilët do të përfitojnë duhet të kenë mbi 10 lopë, mbi 100 krerë të imta e apo edhe mbi 10 mijë shpendë.

“Mbështet ndërtimin e stallave, mbarështimin e blegtorisë, dosa apo dhe shpendëve me një masë mbështetëse mbi 150 mijë euro për një investim”, shton Pirku.

Jo më shumë se 5 milionë lekë në formë granti do të jepet e pajisjeve për fermat bujqësore dhe blegtorale.  Ndërsa peshkimi do të përfshijë grante deri 20 milionë lekë.

“Do kërkojë dhe një fleksibilitet të autoritetit zbatues që në fazën e kontraktimit të kërkohet leja ndërtimore”, u shpreh eksperti, raporton A2.

30% e totalit të fondit për investim do të jepet që në fillim parapagim. Nëse fondi prej 500 milionë lekësh nuk arrin të përthithet nga fermerët gjatë vitit 2024, financimi do të rialokohet dhe të kalojë përsëri për financim të fermerëve vitin e ardhshëm.