Gazetari Arian Çani e ka cilësuar skandal publikimin e pagave. Ai tha se kjo është vetëm maja e ajsbergut të asaj që pritet të publikohet. Sipas Çanit në një vend normal qytetarët pa i thirrur askush duhet të kishin dalë në rrugë dhe qeveria duhet të jepte dorëheqjen.
Intervista:
Si jeni ndjerë ju pasi e morën vesh sa paguheni?
Çani: U kënaqa shumë. Rroga ime dhe disa të tjerëve që punojnë në media nuk është se nuk dihen, sepse i kanë publikuar. Ai publik i interesuar nuk është se nuk i ka ditur. Mua më ka kënaqur shumë se është vënë në vend një saktësim, sepse ka dalë e vërteta. Më pëlqen kjo sepse provon që plus minus 5 unë e kam marrë 20 vitet e fundit këtë pagë. 23% i taksës nga rroga ime mban me bukë me asistencë dhjetëra familje. Unë vetë jam “donator” për njerëzit që nuk kanë çfarë të hanë. Janë 40 milionë lekë të vjetra që shkojnë për shtetin në vit. Nëse shkojnë për familjet e varfra, t’ju bëjë mirë, nëse shkojnë për tenderat është skandal i madh. Edhe unë isha kurioz për ca të tjerë që janë mbi mua, por nuk kam zili.
Është kjo një mënyrë për të goditur njerëzit e medias?
Çani: Jo nuk mendoj. Por unë ftoj të shohin ata që nuk dalin në media. Ka njerëz me paga shumë më të larta që nuk janë në listë, si ka mundësi.
Mendoni se janë paguar para që disa emra mos dalin në listë?
Çani: Këtë nuk e di. Secili nga ne mund të mendojë se janë ata që kanë nxjerrë listën. Spekulimet janë pa fund. Pyetja është për ata që janë fshehur pas nipteve. Kjo listë na shërben edhe për evazionin fiskal. Ky është një vend bordello në të gjitha kuptimet. Këtu në vend që të skandalizohemi që kjo ka ndodhur, i ftoj qytetarët ta marrin si një lojë.
Çfarë duhet të prodhonte publikimi i këtyre të dhënave?
Çani: Në një vend normal sot njerëzit pa i thërritur askush duhet të ishin në rrugë. Kjo gjë në një vend serioz ku jeta ka vlerë qeveria sot duhet të mendonte për dorëheqje. Këtu është vend i botës së tretë të Afrikës së varfër, vetëm se kemi lëkurë të bardhë. Ky skandal është vetëm maja e ajsbergut. Njerëzit që janë IT thonë që ky është vetëm fillimi. Thonë që kanë databasa të tmerrshme. Jemi në një situatë tragjike, por duke qenë Shqipëria është komike.
Përqëndrohemi në zhvillimet brenda Partisë Demokratike. Deri më 5 janar i kanë lënë afat Lulzim Bashës për të liruar zyrën. A besoni se Sali Berisha do të arrijë ta nxjerrë Bashën nga selia dhe çfarë impakti do të kishte?
Çani: Nuk e di të them të drejtën, varet nga rrethanat që do të krijohen. Basha duhet të kishte dhënë dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve. Ai referendum ishte fake. Ajo parti dhe logo është bashkimi me emrin Sali Berisha. Është naivitet të thuash jo. Nuk di kush i thotë Bashës qëndro atje sepse mund ta shmangim Berishën. Basha ka një garanci që rri atje. Kjo histori e banesës pas 5 janarit do ndahet deri sa të merret një zgjedhje përfundimtare. Ajo është godinë e madhe dhe ka vend ku të akomodohen. Shpresoj të mos ketë nevojë për dhunë, por fituesit nëse i bën karshillik mund të përdorë dhunën. Berisha e ka të vështirë të bëjë dhunë, por mund ta bëjë baza e PD. Do shohim nëse do shkojë deri në fund objektivin e tyre.
Ka shanse që mes kësaj përplasje të dalë një pol i tretë?
Çani: Jo. Sistemi elektoral këtu është pervers dhe pret çdo këmbë të tretë. Sistemi i dekurajon këmbët e treta që duan të dalin. Përpjekja e Dash Shehit tingëllon utopike, sistemi i nxjerr jashtë.