Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar nga Gjykata që ndaj Princ Valentino Corleone të caktohet masa e paraburgimit, në ndalim në Institutin e Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë, si i dyshuar për dhunë në familje. Gazeta Sinjali ka siguruar kërkesën e Prokurorisë me detaje lidhur me ngjarjen që ndodhi në familjen Sylejmani, mesnatën e 21 marsit.
Gjithçka ndodhi derisa dy prindërit e tij, ishin duke fjetur në shtëpinë e tyre, në rrugën “Muharrem Ibrahimi”, në Gjilan.
Vali Corleone dyshohet se rreth orës 02:00 pas mesnate, me dashje dhe me qëllim të ushtrimit të pushtetit, kontrollit dhe cenimit të dinjitetit te babai i tij, përmes sjelljeve dhe fjalëve ka nxitur frikë duke e kanosur dhe duke tentuar që të njëjtin ta largojë nga shtëpia.
Derisa prindërit e tij ishin në dhomë duke fjetur, Vali dyshohet se ka hyrë dhe duke bërtitur e ka kërcënuar babain e tij me fjalët “i ki afat 24 orë me ma liru shpinë se dije çka të gjen”, duke i shkaktuar dhimbje, frikë dhe shqetësim të madh emocional. Pasi djali e kërcënoi, babai u detyrua që të largohet nga shtëpia dhe e denoncoi rastin në Polici.
Caktimi i masës së sigurisë
Për shkak të raporteve mes tyre, rrethanave rënduese dhe meqë i dyshuari edhe më parë ka ushtruar dhunë fizike ndaj familjarëve të tij, Prokuroria vlerëson se i njëjti nuk duhet të lihet në liri sepse mund të ndikojë në dëshmitarët që i ka familjarë.
Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës: “Kushdo që e kryen dhunën ose keqtrajtimin fizik, psikologjik ose ekonomik me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër brenda një marrëdhënieje familjare, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në 3 (tre) vjet.”
Sinjali do të ju mbajë të informuar lidhur me vendimin e gjykatës.