sh-ministri i Integrimeve Evropiane, njëherësh profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare, Blerim Reka ka reaguar pas ndryshimit të emrit të projektit të ‘Minishengenit Ballkanik”.
Ai u shpreh se Vuçiqi dështoi, plotë tri vite, që ta shes reinkarnimin e Jugosllavisë në amballazhën e integrimit rajonal, pasi shengeni i vogël, ishte fasadë e Jugosllavisë së madhe.
Krahas kësaj, Reka tha se presidenti serb ia ndryshoi vetëm emrin ‘Minishengenit’, pasi qëllimi nismëtar është i njëjët: “Krejt Ballkani brenda “Botës Serbe””.
“Sot, Vuçiqi, u detyrua ta ndryshojë vetëm emrin e nismës së Novi Sadit, por pa e ndryshuar qëllimin nismëtar: krejt Ballkani brenda “Botës Serbe”, (“Serbski Svet“) – strategjia e radhës e Beogradit”, shkroi në Facebook, përcjell “Bota sot”.
Postimi i plotë
Lamtumirë “Mini-Shengen”
1. Sot në Shkup, “troika” e Novi Sadit varrosi “Mini-Shengenin Ballkanik” dhe inauguroi trilateralen. Vuqiqi dështoi, plotë tri vite, që ta shes reinkarnimin e Jugosllavisë në amballazhën e integrimit rajonal. Shengeni i vogël, ishte fasadë e Jugosllavisë së madhe. Tri shtetet e tjera ballkanike e refuzuan atë. Tjetër epilog edhe nuk mund të pritej, pa pajtimin e të gjitha gjashtë shteteve të rajonit. Serbia, ndërkaq këmbëngulte për “integrim rajonal”- por pa e njohur Kosovën. Beneluksi, si integrimi i parë modern rajonal evropian që i parapriu BE-së, funksionoi vetëm si lidhje e tri shteteve të njohura reciprocikisht (Belgjikë, Holandë, Luksemburg). Si mund të funksiononte ky “integrim” i Vuqiqit, kur dy shtete ende nuk e njohin Kosovën?
2. Ky është dështimi i katërt i hegjemonisë “rajonale” të Beogradit brenda një shekulli. I pari, ai i krijimit të Jugosllavisë – pa jugosllavë, (por me sundimin serb) dështoi përkundër hyrjes së kroatëve dhe sllovenëve në mbretëri me mbretin serb. Pas dështimit të asaj Jugosllavie të parë monarkike (1941) dhe të dytës komuniste (1991), dështoi edhe e e treta Serbo-Malazeze (2006).
3. Nga viti 2019, Beogradi u përpoq ta shes idenë për “Jugosllavinë Evropiane”, me një emër tjetër: “Mini-Shengen Ballkanik”, ama sërish nën hegjemoninë tregtare, ushtarake e politike serbe. Ndryshimi i emrit nuk ndryshoi përmbajtjen. Atëherë si shtet i sllavëve të jugut, sot si “integrim rajonal” me Shqipërinë plus. Por, as Mali i Zi, (konstituenti i fundit i Jugosllavisë së fundit), e madje as Bosnja e Hercegovina (me Repubika Srpsken brenda), nuk u joshën nga oferta e Beogradit. Ndërkaq, Kosova e refuzoi kategorikisht, jo vetëm pse nuk ishte ftuar si shtet sovran dhe i pavarur, por edhe nga rreziku i zëvendësimit të anëtarësimit në BE, me “integrim rajonal” nën tutellën Serbe.
4. Si mund të funksiononte një lidhje e tillë shtetesh, me orientime të kundërta gjeostrategjike? Me një Serbi anti-NATO dhe aleate ruse; me tri shtete anëtare të NATO-s dhe të katërtin me NATO-n brenda? Me pesë shtete që nuk kanë alternativë pos integrimit Euro-Atlantik; e me Serbinë që në vend të Unionit Evropian, hyri në Unionin Euro-Aziatik të Putinit?
5. Edhe para nismës së Novi Sadit, vendet e tjera të Ballkanit kishin iniciativa të tjera integruese. Nga viti 2008, katër shtete (Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut), mbanin samite vjetore presidenciale. Në vitin 2011, Mali i Zi propozoi nismën “Ëestern Balkans 6”, e më vonë edhe në Tiranë u lansua “Beneluksi Ballkanik”. Por të gjtha ishin refuzuar nga Serbia. Pse tash duheshka pesë shtete të tjera të pranojnë një nismë të Serbisë?
Sot, Vuqiqi, u detyrua ta ndryshojë vetëm emrin e nismës së Novi Sadit, por pa e ndryshuar qëllimin nismëtar: krejt Ballkani brenda “Botës Serbe”, (“Serbski Svet“) – strategjia e radhës e Beogradit.