Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se ka marrë informatë se pagat që u ndaluan nga Qeveria e Kosovës për grevistët në sektorin publik, janë ekzekutuar pasditen e së premtes dhe do të dalin në xhirollogari të hënën.
Në Interaktiv të KTV-së, Ibrahimi ka thënë se këtë informatë e ka marrë si të konfirmuar nga kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.
“Duke ardhur këtu më telefonoi zoti Lladrovci dhe më dha informatë për gëzim dhe më tha që në ora 15:00 Ministria e Financave i ka ekzekutuar pagesat. Kryetari Lladrovci ma dha si informatë të konfirmuar dhe kjo vjen pas një presioni të Asociacionit të Komunave. Bëhet fjalë për të gjithë punonjësit e sektorit publik në nivelin lokal”, ka thënë ai.
Ibrahimi ka thënë se edhe te metoda e pagesës “fshihet një lojë”.
“Janë ekzekutuar pasdite që të mos dalin nëpër xhirollogari deri të hënën. Për nesër kanë thirrur konferencë dhe me siguri për ta dhënë këtë lajm”, ka thënë ai.
Sipas tij, vendimi për ekzekutim të pagave ka ardhur pasi “Asociacioni ia hapi sytë Qeverisë”.
“Ata as që e kishin ditur që në kontrata është afati që paga duhet të dalë deri në datën 5”, ka thënë Ibrahimi.
Nga 25 gushti shumica e punëtorëve në sektorin publik ka hyrë në grevë. Bashkimi i Sindikatave të Pavarura po kërkon nga 100 euro shtesë në muaj për të gjithë punonjësit deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga.
Ditë më parë, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se ekzekutimi i pagave do të bëhet pjesshëm, pa u llogaritur ditët në të cilat zyrtarët ishin në grevë dhe s’kanë punuar. Ka shtuar se po presin listat nga komunat për zyrtarët që i janë bashkuar grevave. Komunat kanë refuzuar ta bënin një gjë të tillë.
Të premten Asociacioni i Komunave i dha afat Qeverisë deri më 5 shtator t’i ekzekutojë pagat, përndryshe paralajmëroi ndërmarrjen e hapave ligjore ndaj ekzekutivit.