Imami i xhamisë në Drenas, Osman Musliu ishte i ftuar në “Express Intervistën” për të folur rreth ekstremizmit fetar në Kosovë e të kthimin e kosovarëve nga Siria.
https://www.facebook.com/emisioniexpress/videos/733037290532222/
Kujtojmë se në zonat e luftës në Siri ende kanë mbetur shumë kosovarë, përfshirë edhe fëmijë, e për këtë Musliu i vë fajin Bashkësisë Islame e shtetit.
“Asnjëherë nuk i kam thënë vetes që jam ekspert as kundër as kundër terrorizmit e as kundër ekstremizmit. Duhet të provojmë që t’i ndalim gjërat e këqija qysh në fillim. Përgjegjësia më e madhe bie mbi shtetin dhe Bashkësinë Islame, e kjo e fundit është dashur të lajmërojë shtetin për këtë rrezik. Unë një gjë e tillë e kam bërë që nga 2004, e për këtë shpeshherë jam linçuar e jam sulmuar fizikisht”, ka thënë Musliu.
Tutje ai ka shtuar se ky reagim ka ardhur për shkak se kishte parë se dikush donte të merrte rininë e Kosovës.
“Në atë kohë e kam parë se dikush po donë me na e marrë rininë, përmes fesë e mësimeve të mbrapshta duke dashur t’i dërgojnë në tabor tjetër. Disa media e gazetarë na kanë mbështetur. Reagimi ndonjëherë më ka quar në taborin e ekstremizmit, duke luftuar ekstremizmin. Ata njerëz që janë në Siri tash duhet t’i ruajë shteti. Ata njerëz mund të shkaktojnë pasoja të mëdha e mund ta kthehen kundër Kosovës. Unë nuk jam ekspert dhe nuk e di se si duhet të rehabilitohen ata”, ka thënë ai.
Sipas Musliut duhet të goditen personat që janë përgjegjës për dërgimin e kosovarëve në Siri.
“Padi duhet të ketë ndaj atyre që i kanë dërguar ata në Siri. Ata duhet me dhënë përgjegjësi për ato vepra, për dëmin që i kanë bërë Kosovës dhe islamit. Ata duhet të pendohen, ne nuk jemi për mos me i falë për mos me i rehabilituar por duhet të kërkojmë fillin e së keqes. Kur e kanë nisur në fillim njerëzit kanë menduar se me të vërtetë po i ndihmojnë Sirisë. Bashkësia Islame ka heshtë, e ajo duhet të bëjë kritere të ligjëratave, jo censurë, por kritere”, ka thënë Musliu.
Musliu thotë se duhet të bëhet Ligji për bashkësitë fetare, derisa ka akuzuar kreun e BIK-ut, Naim Tërnava për këtë situatë.
“Në Kosovë që 20 vjet nuk është bërë ligji për bashkësitë fetare. Pse BIK-u nuk e kërkon një gjë të tillë. Pse po i duhet shtetit Naim Tërnava, por dikujt ky njeri po i duhet për të shkelur të drejtat e myslimanëve në Kosovë. Ne e kemi lënë fenë në avari. Ligji qet korniza sepse pastaj mund të bësh padi. Mendoj se është një heshtje, por jo një ndryshim i madh. Te gjemati ka ndodhur një ndryshim, por jo te krerët e tyre”, ka thënë ai.
Sipas Musliut nuk do të jetë e lehtë largimi i ekstremizmit nga Kosova.
“Ekstremizmi nuk largohet lehtë nga Kosova, ndoshta do të duhen me dekada, ndoshta edhe 50 vjet. Ekspertët nuk vijnë në shprehje në BIK, aty vijnë në shprehje vetëm servilët e frikacakët, por në Kosovë ka intelektualë e doktor shkence të fesë. Apel gjithë shtetit, të mos mendojmë se këto sene shuhen vetëm me llafe, por duhet qysh atëherë kur nisin të reagojmë”, ka thënë ai.