Në një kohë kur shqiptarët në Luginë të Preshevës po përballen me diskriminim sistematik nga Serbia, kur po i mohohen të drejtat elementare e kur kanë filluar organizmin e protestave për “identitet dhe dinjitet”, një imam nga Novi Pazari, i quajtur Mevludin Dudiç, gjatë një organizimi në Preshevë, në gjuhën shqipe, ka bërë një deklaratë anti-shqiptare.
Ky imam, i cili fotografohet me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe të cilit publikisht i thur lavde, ka thënë se “unë s’jam shqiptar, por mysliman siç edhe ju që jeni”, duke u përpjekur që t’i identifikojë shqiptarët vetëm si myslimanë dhe t’i zhvesh nga identiteti kombëtar shqiptar, një projekt i kamotshëm i Serbisë në raport me shqiptarët – i aplikuar në disa raste, posaçërisht në Pazarin e Ri (Novi Pazar).
Ndaj këtyre deklaratave anti-shqiptare të imamit, ka pasur reagime të shumta, të cilët kanë kundërshtuar ashpër këto qëndrime të papranueshme të tij.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH) në Serbi, Nevzad Lutfiu, i ka bërë thirrje institucioneve fetare në Luginë të Preshevës që të mos kenë fare bashkëpunim me myftiun nga Novi Pazari.
“Ky personalitet që e deklaron veten pa identitet kombëtar, nuk duhet të gëzojë respektin e një komuniteti që i ka 28 dëshmorë të rënë për gjuhë dhe flamur”, shkroi Lutfiu në Facebook.
Lutfiu, si përgjigje ndaj këtij imami, përdori një nga thëniet e një personaliteti të shquar kombëtar shqiptar, i cili me profesion ishte po ashtu imam, hafëz Ali Korça.
“Po ckriji të gjitha veç shpëto atdhenë, se n’atdhe të dashur mundet t’a mbash fenë”, rikujtoi ai thënien e Korçës, i cili kishte rol të rëndësishme në vetëdijesimin e shqiptarëve në një nga periudhat më të lavdishme të tyre, Rilindjes.
Ndër të shumtë që ka reaguar ka qenë edhe Profesori i Filozofisë, Blerim Latifi.
Duke komentuar këtë deklaratë skandaloze të myftiut, Latifi i habitur ka thënë se nuk është as viti 1912, as viti 1930, por kjo po thuhet në vitin 2024.
“Në mes të Preshevës, në një sallë të mbushur plot, një hoxhë çohet dhe u thotë të pranishmëve: Ne nuk jemi shqiptarë, ne jemi myslimanë! Qe qysh ringjallet mekanizmi i moçëm, mekanizmi i cili përmes bashkëpunimit të hoxhallarëve me organet e shtetit serb, i pat asimilu në boshnjakë krejt shqiptarët e Sanxhakut të Novi Pazarit dhe një pjesë të madhe të shqiptarëve në Mal të Zi”, shkroi Latifi në Facebook.
Ai shtoi se aktualisht, i njëjti mekanizëm është aktivizuar për ta deshqiptarizuar komplet Luginën e Preshevës.
“Shqiptarët e njohin mirë hunin e UDB-së, por fare pak inxhinieringun e saj kulturor”, pohoi.
Shqiptarët që jetojnë në Serbi janë të shtypur sistematikisht nga regjimi atje. Madje, atyre nuk u lejohet as përdorimi i flamurit kombëtar.
Një nga çështjet që është ngritur edhe në Senatin Amerikan, por edhe në Bashkimin Evropian, është pasivizimi i adresave që autoritetet serbe janë duke ua bërë shqiptarëve etnikë, posaçërisht në Medvegjë.
Së fundmi, shqiptarët në Serbi kanë organizuar edhe një protestë në Bujanoc, për identitet dhe dinjitet, dhe kanë paraljamëruar një tjetër në Preshevë.
Pas protestes në Bujanoc janë shfaqur grafite raciste dhe nxitëse të urrejtës në gjuhën serbe si “vdekje shqiptarëve”, “Kosova është Serbi” e të ngjashme, të cilat janë dënuar ashpër nga politikanët shqiptarë në Luginë, por jo nga autoritetet serbe./Albanian Post