Imazhet satelitore shfaqin dëme të mëdha në bazën ajrore ruse në Krime

Imazhet e publikuara satelitore kanë shfaqur dëme të madh dhe disa avionë luftarakë rusë të dëmtuar në bazën ajrore të Krimesë, që është goditur nga shpërthimet më herët gjatë kësaj jave.

Baza ajrore Saki, që gjendet në perëndim të Krimesë së kontrolluar nga rusët, u godit nga një sërë shpërthimesh të martën, më 9 gusht, duke lënë të vrarë një person.

Ukraina nuk ka marrë përgjegjësinë për shpërthimet, por të dhënat e reja sugjerojnë se shpërthimet ka të ngjarë të kenë qenë sulm i shënjestruar.

Imazhet satelitore të publikuara nga Plant Labs, tregojnë zona të mëdha të tokës që janë djegur nga zjarret që shpërthyen.

AEROPORTI “SAKI” NË KRIME PAS SHPËRTHIMEVE, FOTO “SKEMA”

Pistat kryesore të kësaj baze ajrore duket se nuk janë prekur, por të paktën tetë avionë duket se janë dëmtuar ose janë shkatërruar, teksa duken disa gropa të hapura në tokë.

Disa prej këtyre gropave janë në disa zona specifike të bazës ajrore ku një numër i madh avionësh parkohen në ambiente të hapura e jo në hangarë.

Imazhet satelitore të Planet Labs, që monitoron luftën në Ukrainë, paraqesin konfirmimin e parë se baza mund të jetë shkatërruar. Deri më tani, detajet për madhësinë e dëmeve të shkaktuara nga shpërthimet kanë qenë të pakta.

Por, ende është e paqartë se si baza u shkatërruara ose me çka u godit.

Rusia e ka përdorur bazën ajrore Saki për të kryer sulme në territorin ukrainas qëkur nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Moska insiston se shpërthimet u shkaktuan nga eksplodimet e mocionit, që gjendeshin në depotë e aeroportit. Rusia ka argumentuar se deri te shpërthimet ka ardhur si pasojë e mosrespektimit të rregullave kundër zjarrit.

Ukraina në anën tjetër nuk ka marrë përgjegjësi dhe Ministria e Mbrojtjes ka sugjeruar se fajtorë mund të jenë ushtarët rusë të cilët kanë qenë të pakujdesshëm sa i përket rregullave kundër zjarrit.

 

“Mendoj se ushtarët rusë në këtë bazë ajrore e shkelën rregullin më të thjeshtë: mos pini duhan në vende të rrezikshme”, tha ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksiy Reznikov. “Kjo është e gjitha”, shtoi ai.

Por, një zyrtar i paidentifikuar ukrainas i ka thënë një media amerikane se forcat ukrainase janë përgjegjëse për shpërthimet, por nuk ka dhënë më shumë detaje.

Forcat ajrore ukrainase thanë se dhjetëra avionë luftarakë rusë janë shkatërruar, por Rusia ka hedhur poshtë pretendimet për dëmtimin e avionëve. Megjithatë, imazhet e reja sugjerojnë se ka avionë të dëmtuar ose të shkatërruar.

Analistët ushtarakë kanë thënë se ky shkatërrim në këtë bazë ajrore, paraqet një goditje të rëndë për Rusinë dhe një fitore psikologjike për Ukrainën.

Videot e postuara në mediat sociale më 9 gusht kanë shfaqur disa shpërthime në bazë që kanë shkaktuar tym dhe zjarr të madh.

Tym i zi pas shpërthimeve në bazën ajrore Saki.
Tym i zi pas shpërthimeve në bazën ajrore Saki.

Shtëpitë, makinat dhe objektet e tjera në afërsi të bazës po ashtu janë dëmtuar. Udhëheqësi i instaluar nga Rusia në Krime kanë thënë se përveç një personi të vrarë edhe 14 të tjerë janë plagosur. Sergei Aksyonov po ashtu ka thënë se të paktën 80 ndërtesa janë dëmtuar.

Në bazën ajrore kanë qenë deri 30 avionë ushtarakë më 9 gusht, sipas imazheve satelitore.

Analisti ushtarak, Robert Lee, tha se në këtë bazë ajrore ka mungesë të hangarëve për avionë.

Shumë avionë nuk do të ishin dëmtuar nga shpërthimet po që se Rusia do të kishte ndërtuar hangarë, tha ai përmes një postimi në Twitter.

Nëse Ukraina qëndron prapa këtyre shpërthimeve, atëherë ato do të paraqisnin sulmin më të madh të Kievit ndaj forcave ruse në Krime.

Po ashtu do të shfaqnin aftësitë teknike të Ukrainës për të kryer sulme në distancë të largët, tha Volodymyr Dubovyk, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Mechnikov në Odesa.

Gadishulli ukrinas i Krimesë është aneksuar paligjshëm nga Moska më 2014. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, është zotuar se deri në fund të pushtimit, që Rusia nisi ndaj Ukrainës, Kievi do të rimarrë kontrollin e Krimesë.