Dick Marty, njeriu që akuzoi udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, se kishin bërë trafikim me organe njerëzish, u kërcënua me vrasje dhe kuptoi që një shtet po përgatiste vrasjen e tij.
Por, nuk ishte Kosova, liderët e të cilës i akuzoi. Ishte Serbia.
Shërbimet e inteligjencës serbe kishin paguar vrasës me pagesë për ta likuiduar ish-prokurorin zviceran, i cili shërbeu edhe si anëtar i Këshillit të Evropës.
Në emisionin “Mise au Point”, në Radiotelevizionin e Zvicrës tek kanali “RTS 1”, Marty thotë se ishte habitur se nuk ishin shqiptarët ata që planifikuan vrasjen e tij, meqë supozohej se ata do kishin një arsye, por në fakt ishin serbët që ia donin vdekjen.
“E habitshme që nuk erdhi nga ata që unë akuzova, por erdhi nga kundërshtarët e tyre”, tha Marty.
Por, habia i kishte pushuar, kur kishte kuptuar planin e inteligjencës serbe.
Ata donin ta vrisnin, por të krijonin përshtypjen se vrasjen e kanë kryer shqiptarët dhe vrasja do lidhje me kohën kur Hashim Thaçi, njeriun që dikur e kishte përgojuar Marty, ishte arrestuar dhe dërguar në Hagë.
Për këtë arsye, prej kohësh atij iu desh të qëndronte i ruajtur nga policia e armatosur rëndë.
Që nga dhjetori 2020, Dick Marty ishte vendosur nën mbrojtje shumë të lartë policore. Ai do të kërcënohej me vdekje nga elementë radikalë të shërbimeve të inteligjencës serbe. Megjithatë, Zvicra nuk ka ndërmarrë asnjë veprim diplomatik ndaj Beogradit.
“Me 18 dhjetor, 2020, kam pranuar një telefonatë nga policia që më informonin se isha kërcënuar me vdekje dhe më vendosën menjëherë në mbrojtje të lartë të policisë”.
Madje policia i kishin thënë se ai është në rrezik të shkallës së pestë, shkalla më e lartë e rrezikut, prandaj i ishte ofruar ndryshim i identitetit dhe adresës.
“Shkalla pesë nënkupton që të zhdukesh, por unë s’mund ta bëja këtë”, thotë Marty, “prandaj, kemi qëndruar në shkallën katër deri më tani”.
Marty dhe gruaja e tij kishin pranuar policinë në shtëpinë e tyre të cilët ishin të armatosur rëndë, deri në mbajtje edhe granatsh dhe kishin qëndruar ashtu për katër muaj e gjysmë.
Atij i ishte dashur të kufizonte edhe kontaktet në maksimum.
“Në fund të vitit 2020, ai më dërgoi një mesazh të koduar duke më kërkuar që të mos kontaktoja më me të”, konfirmon Franco Cavalli, ish-këshilltar kombëtar socialist, i cili është edhe miku Marty-it.
“Është tronditëse të mendosh se një gjë e tillë mund të ndodhë në Zvicër”.
Sot policia nuk është më në detyrë brenda shtëpisë së tij, “por masat mbrojtëse janë ende po aq të rëndësishme”.
“Shtëpia është e mbushur me kamera dhe e pajisur me alarme dhe një dhomë sigurie ku Dick Marty duhet të strehohet në rast sulmi. Aty pranë ndodhet policia me rroba civile”.
Gjatë udhëtimeve të tij të rralla, Dik Marty vesh një jelek antiplumb, makina e tij është e blinduar dhe e shoqëruar nga dy automjete policie me rroba civile.
Siç tregon Marty ai vë në akuzë vetë shtetin serb, “kërcënimi vjen nga qarqe të caktuara të shërbimeve të inteligjencës serbe, të cilët i kërkuan botës së krimit, vrasësve profesionistë, të më likuidojnë thjesht për t’ua vënë fajin kosovarëve. Sa për vrasësit, ata do të ishin pjesë e ‘botës së krimit’. Ka veteranë që specializohen në vrasje me urdhër, vrasje me porosi dhe kështu që nuk duhen shumë para për të vrarë dikë”.
Të njëjtat të dhëna kishin edhe autoritetet zvicerane.
“Dick Marty duhet të vritet me urdhër të shërbimeve sekrete serbe. Atentati i Dick Marty-t thuhet se iu besua disa burrave serbë që kanë kryer prej kohësh misione të tilla për shërbimin sekret serb dhe të cilët janë të trajnuar si ‘profesionistë absolutë’ që do ta kryenin atentatin ‘pa lënë gjurmë’”.
“Armën do ta sillte një serb në Zvicër gjatë dhjetorit 2020”.
Marty ka mbrojtje aktualisht, por shprehet se nuk vazhdohet kështu dhe ka kërkuar nga autoritetet zvicerane që jo vetëm ta mbrojnë, por të ndërmarrin hapa në eliminimin e rrezikut.
“Detyra e një shteti është jo vetëm sistemi i mbrojtjes nga kërcënimi, por edhe neutralizimi i tij”, thotë Martin gjatë intervistës.
“Unë jetën time e kam bërë, nuk jam i shqetësuar për veten, por për njerëzit që kam pranë, për familjen time”.
Pas një letre të tij për autoritetet ata “kanë dërguar oficerë policie në Beograd në fund të prillit për të biseduar me kolegët e tyre serbë”, por për Marty-in kjo është e pamjaftueshme.
“Kjo do të thotë se Prokurori Federal nuk do të udhëtojë në Serbi dhe se ai nuk do të bëjë kërkesë për ndihmë juridike dhe se Berni zyrtar do të heqë dorë nga veprimet diplomatike. E gjithë kjo pavarësisht nga ekzistenca e indikacioneve konkretë për një vrasje të planifikuar të një ish-raportuesi të Këshillit të Evropës dhe senatori zviceran nga shërbimet inteligjente të një vendi të huaj”.
Gazeta franceze “Mise au Point” ka pyetur autoritetet zvicerane se cila është arsyeja e mungesës së një reagimi më të ashpër në raport me autoritetet në Serbi.
Siç i janë përgjigjur gazetës institucionet, saktësisht Ministria Publike e Konfederatës, thuhet se “përveç aspektit kriminal, ky rast përfshinë edhe komponentë politikë për shkak të kontekstit tejkombëtar”.
Vetë Franco Cavalli, i cili e viziton Marty-n në prani të televizionit zvicerian, kërkon një angazhim konkret nga Berna.