Ish-ambasadori amerikan në Beograd i jep të drejtë Kosovës për reciprocitet tregtar ndaj Serbisë

Ish-Ambasadori amerikan në Serbi, Michael Polt, ka thënë se Kosova ka të drejtë të kërkojë trajtim reciprok tregtar me Serinë.

Përmes një postimi në Twitter, Polt, duke e shpërndarë një artikull të “The New York Times” me titull “SHBA-ja kundërshton ‘barrierat e reja’ ndaj mallrave serbe”, ka kritikuar presionin që Amerika po i bën Kosovës në këtë rast.

“Nuk ka asnjë arsye që Kosova të mos kërkojë trajtim reciprok tregtar me Serbinë. Presioni i SHBA-së ndaj Kosovës në këtë rast është i gabuar”, ka thënë diplomati Polt, i cili ka qenë ambasador edhe i konfederatës Serbi-Mali i Zi.

Qeveria e Kosovës, në një vendim të ditës së djeshme, tha se taksa 100% ndaj mallrave serbe do të hiqet, por do të nis së zbatuari parimi i reciprocitetit me shtetin serb.

Ndaj këtij vendimi, ka reaguar Administrata e Trumpit, përmes ambasadës së saj në Kosovë, duke e kundërshtuar vendimin si të tillë.

Ndërkaq, shtetet e BE-së, e edhe Britania e Madhe, e kanë mbështetur vendimin e Qeverisë në detyrë të Kosovës, të drejtuar nga Albin Kurti. Ato kanë kërkuar që tashmë të nis dialogu mes dy vendeve.