Jetlir Zyberaj, këshilltar i Behgjet Pacollit ka treguar njohjen e ish-presidentit të Kosovës me Naim Murselin, i cili porositi vrasjen e gruas së tij, Liridona Ademajt, pak ditë më parë.
Përmes një lidhjeje me Euronews Albania, Zymberaj tha se Naimi ishte tip që vetë-ofrohej dhe imponohej dhe lidhja e tij me Pacollin nisi në fushata elektorale, kur ai ishte ankuar te ish-presidenti për një sëmundje të rëndë që po kalonte.
Zymberaj shtoi se Pacolli ka qenë i shokuar kur ka marrë vesh lajmin që Naimi ishte autor i vrasjes së gruas së tij, pasi sipas tij, ai kishte hyrje-dalje edhe në familjen e Pacollit dhe kontakte me fëmijët e tij.
“Ka qenë vitet 2008-2009 kur ne kemi qenë të angazhuar në fushata zgjedhore. Kush e njëh Pacollin, e di se çfarë qasje ka në raport me njerëzit, kryesisht me të rinjtë. Ky djali është afruar atëherë në fushatë zgjedhore dhe ka folur për brengën e tij për një sëmundje, duke kërkuar ndihmë, pasi ne e kemi edhe një fondacion”.
“Kështu ka nisur njohja dhe pastaj ka kërkuar një vend pune, duke shpalosur aftësitë e tij në rrjetet sociale. Ai ka qenë pjesë e ekipit të Pacollit, por jo e ekipit të ngushtë të tij. Edhe mediat e kanë paraqitur si këshilltar, por çfarë këshillash mund të japë një 25 vjeçar”.
“Ne të gjithë ishim të shokuar, sepse njërit prej bashëpunëtorëve tanë… Ne vetëm në Kosovë kami rreth 7 mijë bashkëpunëtorë. Të gjithë u ofruan atë natë. Njerëzit e ekipit tonë ishin në vendin e ngjarjes, për t’u solidarizuar. Ne kishim brenda një person që nuk dyshonim se ka kapacitetet që të prodhojë një akt të tillë kriminal. Pacolli ishte i shokuar. Pacolli dhe të gjithë ne ishim të shokuar, pasi ai si person kishte qasje edhe në familjen e zotit Pacolli, ishte futur në shtëpinë e Pacollit, kishte kontakte me fëmijët e Pacollit”.
“Naimi ka qenë një person si karakter imponues. Është imponuar jo vetëm në rrethet politike, artistike, por edhe në ambiente të caktuara, ai edhe pa ftesë, shkonte atje e imponohej. Naimi ka marrë pagë mujore te ne, brenda realitetit ekonomik të Kosovës, nuk e di se çfarë pune ka bërë në Suedi, thoshte që i ka disa biznese. Ka marrë mbështetje edhe nga Pacolli për ato ide biznesi të vetat, thoshte që ka në Suedi një lokal familjar”, është shprehur Zymberaj.