Ish-kryeinspektori i Prishtinës: Duket se vila e Radojiçiqit u ndërtua pas vitit 2019, s’e rrokë legalizimi por bageri

Ish-kryeinspektori i Prishtinës, Adonis Tahiri, duke përdorur imazhet nga gjeoportali i shtetit ka treguar se vila buzë Ujmanit, e kryeterroristit Milan Radojiçiq, është ndërtuar në pesë vjetët e fundit.

Siç shihet nga imazhet, në vitin 2018 lokacioni i vilës duket se ka qenë livadh e mal, dhe se nëse vila është ndërtuar pa leje, në pesë vitet e fundit, Tahiri tha se “s’e rrok’ legalizimi po e rrok’ bageri”, shkruan Reporteri.net.

“Nëse gjeoportali i shtetit është i saktë, vila është ndërtuar dikur në periudhën 2019 e tutje. Nëse s’ka leje, s’e rrok’ legalizimi po e rrok’ bageri”.

“Pra, nuk është ndërtuar qe 10 vjet, as qe 15, por në 5 vitet e fundit. Dëshmi: Ortofotoja e gjeoportalit, shtator 2018. Vendi në të cilin është sot vila, duket se ishte livadh e mal. Përmes kësaj ortofotoje kemi rrënuar dhe rrënojnë ende inspektoratet”, ka shkruar ai.

Imazhet brenda vilës luksoze të kryeterroristit Radojiçiq i ka bërë publike sot Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, pas bastisjeve që bëri Policia e Kosovës në koordinim me KFOR-in dhe EULEX-in.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka kërkuar që kjo vilë të sekuestrohet.

“Po ashtu, Prokuroria Speciale do të parashtroj urdhrin ndalues në Gjykatën kompetente për sekuestrim të një vile buzë liqenit të Ujmanit, një penthouse dhe një lokali”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Radojiçiqi ka deklaruar sot publikisht se ishte pjesë e sulmit terrorist ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku e u plagos një pjesëtar tjetër i policisë.