Ish-kryeministri izraelit tregoi për herë të parë hartën që i ofroi Abbasit në vitin 2008

Ish-kryeministri i Izraelit, Ehud Olmert, për herë të parë ka zbuluar hartën e ofertës së tij nga viti 2008 për presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, për një zgjidhje me dy shtete, e cila do t’u jepte palestinezëve 95.1% të Bregut Perëndimor dhe Gazës, me një shkëmbim toke një për një me Izraelin.

Detajet e kësaj oferte kanë qenë prej kohësh të njohura, por kryesisht përmes një versioni të vizatuar me dorë nga vetë Abbas pas takimit.

“Kjo është hera e parë që po e prezantoj këtë hartë për mediat,” tha Olmert në dokumentarin “Izraeli dhe Palestinezët: Rruga drejt 7 tetorit”, i cili u transmetua sot në BBC.

“Në 50 vitet e ardhshme nuk do të gjeni asnjë lider izraelit që t’ju propozojë atë që po ju ofroj unë tani. Nënshkruaje! Nënshkruaje dhe le ta ndryshojmë historinë!”, rrëfeu Olmert se i kishte thënë Abbasit.

Në shtator të vitit 2008, Olmert i paraqiti Abbasit një hartë zyrtare që tregonte kompromisin territorial për kufijtë e një shteti palestinez si pjesë e një marrëveshjeje paqeje përfundimtare, duke kërkuar nga Abbas që ta nënshkruante ofertën përpara se ta kthente atë në Ramallah për shqyrtim. Abbas refuzoi ta nënshkruante.

Harta tregon se Olmert ishte i gatshëm, në përgjithësi, të rikthehej në kufijtë para vitit 1967, megjithatë ai mbajti nën kontroll bllokun e vendbanimeve Gush Etzion në jug të Jerusalemit, qytetin Ma’ale Adumim në lindje dhe një pjesë të territorit që përfshinte vendbanimin e madh Ariel në Bregun Perëndimor.

Në këmbim të zgjerimit të sovranitetit izraelit mbi këto zona, Izraeli do t’i jepte një pjesë të territorit të tij shtetit të ri palestinez.

Po ashtu, Olmert mbështeti ndërtimin e një tuneli për të lidhur Gazën me Bregun Perëndimor.

Ai gjithashtu ishte i gatshëm të ndante Jerusalemin në katër lagje nën kontroll izraelit dhe palestinez dhe të hiqte dorë nga sovraniteti izraelit mbi Malin e Tempullit dhe të gjithë Qytetin e Vjetër. Olmert propozoi që “Pishina e Shenjtë” të vihej nën mbikëqyrjen e një kujdestarie ndërkombëtare pesëpalëshe, jo-sovrane, e përbërë nga Izraeli, Autoriteti Palestinez, Jordania, SHBA-ja dhe Arabia Saudite.

Në dokumentar, ish-shefi i kabinetit të Abbasit, Rafiq Husseini, tha se palestinezët nuk e morën seriozisht ofertën, pasi Olmert ishte i përfshirë në një skandal korrupsioni dhe pritej të jepte dorëheqjen së shpejti.

“Është për të ardhur keq që Olmert, sado i sjellshëm të ishte, ishte një ‘pato e plagosur’ dhe për këtë arsye nuk u arrit asnjë marrëveshje,” tha Husseini.