Saktësisht një muaj pas një aktgjykimi të Gjykatës Supreme që konstatoi se Kujtim Gashi ishte liruar jashtëligjshëm nga akuzat për korrupsion, ish-ministri i Kulturës është shpërblyer me pozitë publike në Prizren.
Gashi, i cili shërbeu si ministër në Qeverinë Haradinaj, është emëruar nënkryetar i Komunës së Prizrenit të hënën.
Emërimi i tij është fuqizuar 30 ditë pasi Supremja i cilësoi të jashtëligjshme aktgjykimet e nxjerra nga dy shkallët paraprake të gjykatave, të cilat e kishin shpallur të pafajshëm ish-ministrin.
Gashi, gjatë 2015-s e deri në tetorin e 2016-s, akuzohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare në periudhën sa ishte kryesues i Asamblesë Komunale në Prizren.
Një trup i Gjykatës Supreme, më 10 dhjetor të vitit të kaluar vlerësoi se dy aktgjykimet e Themelores dhe Apelit në rastin e Gashit janë marrë me shkelje të ligjit penal.
Sipas Supremes, janë të bazuara pretendimet për shkeljen e ligjit penal.
Siç bëri të ditur ky institucion i drejtësisë, faktet vendimtare, të cilat janë cekur në përshkrimin e veprimeve të dënuarit në dispozitivin e aktgjykimit të shkallës së parë, janë vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe plotë, por gjykatat nga kjo gjendje faktike kanë nxjerrë konkludime të gabuara lidhur me ekzistimin e veprës penale për të cilën ish-deputeti Gashi akuzohej.
Tutje, thuhet se nga aktgjykimet del se Gashi e ka ditur se nënshkrimi i kontratave të cilat pasojnë me pagesën e mjeteve publike, duhej të ndodh pas procedurës së tenderimit, gjegjësisht mundësimit të gjithë operatorëve që në mënyrë të barabartë të konkurrojnë për të fituar mundësinë e dhënies së shërbimit-transmetimit dhe ritransmetimit të seancave të Asamblesë Komunale, të cilën ai e ka kryesuar dhe jo të nënshkruhen me cilëndo operator.
“Nga këto arsye, Gjykata Supreme konstatojë se aktgjykimet e kundërshtuara janë marrë me shkelje të ligjit penal ndaj të pandehurit, shkelje kjo nga neni 385.pika 4.të KPPK sepse me aplikimin e drejtë të ligjit penal veprimet e tij duhej të konsideroheshin si vepër penale dhe kjo shkelje, në bazë të nenit 438 par.2 të KPPK, vetëm u konstatua, pa ndikuar në vendimin e formës së prerë”, thuhet në vendimin e Supremes.
Sipas aktakuzës, Kujtim Gashi, gjatë vitit 2015 e deri në tetor të 2016-ës, në cilësinë e kryesuesit të Asamblesë Komunale në Prizren, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personat tjerë juridik, “TV Besa” dhe “TV Opinion”.
Në aktakuzë thuhej se i akuzuari Gashi, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj, pa ndonjë procedurë të tenderimit, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, si dhe Rregulloren e Thesarit, kishte lidhur kontratë për ritransmetimin e seancave të Asamblesë Komunale në Prizren.
Sipas aktakuzës, Gashi, gjatë periudhës kohore 8 janar 2015, kishte lidhur kontratë me “TV Besa”, në vlerë prej 250 euro për çdo seancë, ndërsa pagesat për këto shërbime janë autorizuar gjatë vitit 2016 në shumën prej 1,750 euro.
Po ashtu aty thuhet se, gjatë periudhës kohore 8 janar 2015, kishte lidhur kontratë me “TV Opinion”, në vlerë prej 400 euro, për ritransmetimin e seancave të Asamblesë Komunale në Prizren, ku pagesat, sipas aktakuzës, janë transferuar gjatë viteve 2015-2016, në shumën prej 6700 euro.
Sipas aktit akuzues, vlera e përgjithshme që Gashi ka autorizuar për këto dy televizione është 8450 euro.
Në zgjedhjet e parafundit parlamentare të mbajtura më 6 tetor 2019, Gashi ishte zgjedhur deputet në Kuvendin e Kosovës, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Dega e PDK-së në Prizren sot bëri të ditur se Gashi është emëruar në pozitën e nënkryetarit të këtij qyteti.
“Kujtim Gashi është nënkryetar i degës së PDK-së në Prizren, anëtar i Kryesisë Qendrore dhe ka qenë shef i Shtabit zgjedhor në zgjedhjet e fundit lokale. Gashi ka mbajtur pozita të rëndësishme në nivel qendror dhe lokal, ka përvojë politike mbi 20-vjeçare. Poashtu, Gashi është njohës shumë i mirë i politikave lokale, duke qenë asambleist për tre mandate, kryesues për një mandat dhe ka gjashtë vite përvojë pune në Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ai ka qenë dhe deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, thuhet në njoftim.