Ish-shefi i Agjencisë së Sigurisë Ushtarake në Serbi, Momir Stojanoviç, ka thënë se kërcënimi që atoritetet serbe të dërgojë 1 mijë trupa të sigurisë në Kosovë sipas Rezolutës 12/44 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, s’është hiç real, pasi siç shpjegon ai, kjo rezolutë parasheh që ushtarët serbë në Kosovë mund të ruajnë vetëm objektet fetare dhe zonën kufitare edhe atë vetëm me armë të lehta.
“Autoritetet në Beograd, të udhëhequra nga Aleksandër Vuçiç, nuk e përmendën rezolutën 12/44 për vite me radhë, duke thënë se dokumenti ishte varrosur dhe tani që politika e Vuçiç’it për Kosovën ka rënë, ata po i referohen Rezolutës 12/44”.
Ai vlerësoi se Serbia, përmes Listës Serbe, instaloi grupet kriminale në Kosovë.
“Fatin e Kosovës e vendosin njerëz që nuk kanë lidhje me Kosovën, si Aleksandër Vulin, Marko Gjuriç, Petar Petkoviç… Dhe pushtetarët në Beograd instaluan në Kosovë, kriminelë dhe njerëz të paarsimuar përmes Listës Serbe që vendosin për problemin më të madh me të cilin ballafaqohet Serbia në 100 vitet e fundit”.
“Serbët e Kosovës nuk mund të përfaqësohen nga Goran Rakiç, i cili nga elektricist u bë doktor i shkencave ekonomike dhe ligjërues në universitet. Serbët në Kosovë kanë vetëm frikë nga Beogradi. Natyrisht, e gjithë kjo i përshtatet Albin Kurtit dhe pasojat do t’i bartë populli serb”.
Sipas tij, Vuçiç i ka vënë në pozitë shumë të vështirë serbët në Kosovë, sepse ia ka dorëzuar pushtetit të Prishtinës gjyqësorin, policinë, energjinë, telekomunikacionin, kadastrën, mbrojtjen civile dhe targat.
“Në Bruksel Vuçiç ka pranuar gjithçka që i është kërkuar nga zyrtarët kosovarë dhe evropianë dhe nuk ka luftuar për asnjë interes serb”.
Ai shtoi se dikush nga Perëndimi e “instrumentalizoi” Kurtin, “i cili në tre-katër muajt e fundit ka bërë lëvizje për të cilat Beogradi nuk ka përgjigje adekuate”.
“Kurti me mbështetjen e dikujt bëri disa lëvizje që kërcënonin situatën e sigurisë në Kosovë. Është e mundur që qëllimi të jetë përshpejtimi i marrjes së vendimit përfundimtar për Kosovën duke e intensifikuar situatën në terren”.