Në momentin kur ra në duart e policisë serbe, ish-ushtari i UÇK-së, nuk e kishte menduar më kthimin në shtëpi.
Ky është ish-ushtari i UÇK-së, Ahmet Smakiqi, nga Abria e Skenderajt, i cili në shkurtin e vitit 98-tës e kishte përjetuar një torturë të rëndë.
Ky përjetim, sikur edhe i shumë shqiptarëve në luftë, për Smakiqin ishte një nxitje që prej atëherë ta bartë plisin si simbol tradicional shqiptar.
Nga gjendja e rëndë dhe trauma e pësuar si shkak i maltretimit, Smakiqi thotë se nuk kujton gjithçka, por disa detaje i ka të freskëta.
Ai u la për të vdekur nga policia serbe. Familjarët shkuan ta merrnin trupin e tij në borë, por e zbuluan se ishte ende i gjallë.
Gjithë këtë përjetim, ai e dëshmon me fotografi.
Moment i vështirë ishte për familjarët, të cilët nuk ishin në dijeni për përjetimin e kryefamiljarit. Por bashkëshortja e tij kujton shumë detaje.
Kontributi i tij në luftë thotë se nuk iu shpërblye, pasi që Ahmet Smakiqi sot nuk gëzon një vend pune. Megjithatë ai ia ka dalë vetë ta sigurojë ekzistencën, duke u marrë me bujqësi e bletari.