Ish-zëvendësministri i Arsimit, Xhavit Rexhaj, është duke ia përgatitur planprogramin për qeverisje lokale Bekës Berishës, i cili është kandidat për kryetar të komunës së Istogut nga AAK.
Rexhaj ka qenë zv.ministër i Arsimit në kohën e qeverisjes LDK-VV.
E që ai po e përgatit programin e Berishës e ka bërë i ditur vet ky i fundit në një status në Facebook.
Ky është statusi i plotë i Berishës ku edhe shpalosë planprogramin:
Programi në detaje i konsultuar dhe detajizuar së bashku me Prof.Dr.Xhavit Rexhaj.
Ky program do të zbatohet nga unë në mandatin katërvjeçar.
Arsimi në Istog:
Motoja në arsim:
Ta bëjmë arsimin qysh i kemi fëmijët.
Temat kryesore të fushatës për arsim:
1. Kompensimi i humbjeve nga pandemia Kovid – 19:
Pandemia e ka goditë rëndë arsimin kosovar, përfshirë edhe arsimin në komunën tonë. Gjatë mandatit tonë do të marrim masa të veçanta për zvogëlimin e humbjeve në mësim. Ne nuk guxojmë të lejojmë që mungesat në mësimin e nxënësve të përcillen prej vitit në vit. Për këtë arsye:
– Komuna do të ndajë mjete plotësuese për plotësimin e mësimit të nxënësve
– Do të formohet një këshill profesional prej tre ekspertësh për hartimin e programit të aktiviteteve plotësuese
– Një zyrtar i DKA do të merret vetëm me organizimin e aktiviteteve plotësuese për kompensimin e mësimit të humbur nga Kovid – 19
– Secila shkollë do të hartojë dhe do të zbatojë planin për kompensimin e mësimit
– Komuna do të sigurojë përkrahje financiare për angazhimin plotësues të mësimdhënësve nga mjetet e buxhetit qendror, nga donatorët dhe nga mjetet e komunës.
2. Qendra mediale në shkollën e Vrellës
Gjatë dy viteve të para, Komuna do të sigurojë 30,000 euro për investim në teknologji digjitale dhe në mediat e reja (në fushën e programimit, arteve pamore, dizajnit, marketingut) për përdorim nga nxënësit dhe mësimdhënësit për zhvillim të shkathtësive të reja digjitale dhe të programimit te nxënësit. Do të krijohet Qendra e Medieve dhe e Programimit në shkollën e Vrellës. Qendra do të ketë koordinatorin. Qendra do të funksionojë për të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit e Komunës sonë – por edhe për komunat e rajonit të Pejës e më gjerë.
3. Qendra e punësimit të nxënësve në shkollën teknike (Gurrakoc):
Komuna do të ndajë 20,000 euro në vit investim në sigurimin e mundësive për angazhim në punë për nxënësit e klasës 12 të arsimit profesional. Me këto mjete do të sigurohen mjete të punës sipas profesioneve, pajisje teknologjike, vend për zyrë, punëtori, mjete për mbrojtje në punë, pagesa e shpenzimeve komunale për biznese të reja, shërbime për kërkimin e punëve në komunitet për nxënësit e të tjera. Në shkollë do të funksionojë koordinatori për punësim, i cili / e cila do të punojë për përkrahjen e nxënësve të klasës së 12 me pajisje, teknologji dhe shërbime përkrahëse.
4. Projekte të mjedisit në arsim
Do të shpallet garë për shkollën e gjelbër në komunën e Istogut. Shkolla fituese do të koordinojë projektet për zhvillimin e mjedisit në komunën tonë.
Çdo vit do të shpallen thirrje për
(a) oborrin më të rregulluar të shkollës (shpërblimi: katër pajisje teknologjike sipas zgjedhjes së shkollës);
(b) pesë projekte të nxënësve për mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit në komunë (në shumë prej 1500 euro për projekt);
(c) java e pastërtisë në Istog (java e parë e prillit për çdo vit): të gjitha shkollat do të angazhohen së bashku me të rinjtë dhe të rinjtë dhe popullatën e komunës për pastrimin e mjedisit në shkollë dhe në komunën tonë. Komuna siguron përkrahjen financiare dhe mekanizmin.
5. Teknologjia arsimore
Gjatë mandatit të parë do të sigurohen:
– nga një lap-top për secilin mësimdhënës (500 X 300 eur = 150,000 për tri vjet)
– nga një TV për secilën klasë dhe laboratorë (aty ku nuk ka): 100 televizorë X 400 euro = 40,000 euro për dy vjet
– nga dy tabela të mençura për shkollë: 28 X 2000 = 56,000 euro për dy vite.
– Pajisje të tjera sipas vlerësimit të shkollave: 30,000 euro në vit varësisht nga propozimet e arritura nga shkollat.
(Për sigurimin e këtyre mjeteve, por fondeve të komunës, do të konkurrojmë për përkrahje të donatorëve dhe të buxhetit qendror).
6. Puna në klube dhe shujtat për punë në klube
Komuna e Istogut do të pilotojë angazhimin e nxënësve në aktivitete mësimore dhe jashtë-mësimore në klube. Në vitin e parë do të pilotohen klubet në pesë shkolla – të identifikuara përmes shpalljes publike.
– Investimet do të përfshijnë investime në pajisje për klubet: shkenca natyrore, arte (muzikë, pikturë), mediat e reja, dhe debat në shumë prej 2000 euro për shkollë në vit = 10,000 euro në vit.
– Shujtat në klube: për angazhimin e nxënësve mbas orarit do të sigurohet përkrahje me qumësht, kifle, ujë, lëngje në shumë prej 10,000 euro në vit
7. Zbatimi i planifikimit dhe zbatimit të buxhetit të nivel të shkollave (zbatimi i decentralizimit)
Komuna do të krijojë grup punues me zyrtarë komunal, ekspertë arsimi dhe mësimdhënës (7 veta) për zbatimin e decentralizimit të planifikimit dhe shpenzimit të financave në nivel shkolle (sipas buxhetit të alokuar për kokë nxënësi dhe për shkollë në grantin për arsim). Komuna do të hartoje rregullore të nevojshme dhe do të monitorojë shpenzimin e mjeteve sipas planit zhvillimor të shkollës dhe planit vjetor të punës.
8. Muzeu i Arsimit në Uçë: Komuna e Istogut duhet të përkrahë nismat për vlerësimin e sakrificës sublime të popullatës së Uçës dhe të mbarë Kosovës për arsimin gjatë viteve të nëntëdhjeta e më vonë. Komuna e Istogut do të përkrahë dhe do të japë kontributin e vet për projektin për Muzeun e Arsimit në Uçë.
9. Qendra për Mësimdhënie Inovative për zhvillimin profesional të mësimdhënësve
Qendra do të themelohet (për përcjelljen e trendëve më të reja në mësimdhënie) në qytetin e Istogut ose në një fshat (te identifikuar me shpallje publike dhe garë të hapur) dhe do të bëjë aftësimin e mësimdhënësve për mësimin online, për përdorimin e teknologjive të reja, për aplikimin e strategjive të reja mësimore, për zhvillimin e materialeve mësimore e të tjera. Kjo Qendër do të shërbejë edhe për bashkëpunim dhe zbatimin e projekteve ndërkombëtare në arsim në Kosovë. Ekspertët më të mirë në Kosovë do të ftohen për ofrimin e trajnimeve për mësimdhënësit e Istogut. Secili mësimdhënës në Istog do të përfitojë së paku një trajnim në vit. Buxheti: 10,000 euro në vit.
10. Meritat në arsim:
Pos çmimeve ekzistuese, Komuna e Istogut do të themelojë çmimin për merita jetësore në arsim “Martirët e Uçës”. Ky çmim do t’u ndahet njerëzve më meritorë për zhvillimin e arsimit në komunë dhe në Kosovë. Po ashtu do të themelohet çmimi vjetor për “Mësimdhënësi inovativ” në shumë prej 1000 euro për mësimdhënësit që dallohen me qasje inovative dhe për përdorimin e suksesshëm të teknologjive dhe metodave të reja në mësim.
Mjetet për zbatimin e këtij plani do të sigurohen nga buxheti i komunës, nga donatorët, nga buxheti nacional për investime kapitale në sektorin e arsimit dhe nga komuniteti.
Kostoja totale nga mjetet e Komunës: prej 70,000 deri në 100,000 euro në vit.
Të dhënat kryesore për edukimin dhe arsimin në Istog:
Numri i nxënësve:
232 nxënës në edukimin parashkollor (0-5 vjeç)
442 nxënës në klasën parafillore
5004 nxënës në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët me 10 % nxënës të komuniteteve pakicë
1472 nxënës në arsimin e mesëm të lartë (544 arsimi profesional + 709 arsimi i përgjithshëm / gjimnaze) – nuk ka nxënës boshnjakë
Gjithsej: 7150 nxënës
Numri i mësimdhënësve:
20 mësimdhënës në edukimin parashkollor
372 mësimdhënës në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët
105 mësimdhënës në arsimin e mesëm të lartë
Gjithsej: 497 mësimdhënës (301 femra – 196 meshkuj)
Punëtorë Administrativ – 26
Punëtorë ndihmës – 92
Personeli: gjithsej 615 persona
Numri i institucioneve arsimore:
5 çerdhe;
25 shkolla fillore dhe të mesme të ulëta
3 shkolla të mesme të larta
18 shkolla amë dhe 15 paralele të ndara;
Arsimi privat në arsimin parauniversitar – asnjë.