Kreu i komunitetit shqiptar në Selanik, Luan Zyka tregoi në një intervistë për Euronews Albania se pjesa më e madhe e viktimave nga aksidenti tragjik në Greqi janë studentë.
Ai u shpreh se në njoftimin e fundit të policisë, bëhet fjalë për 36 viktima. 6 persona janë në gjendje të rëndë, ndërsa numri i të lënduarve në total është 66.
“Akoma nuk janë identifikuar të gjithë njerëzit dhe nuk dimë nëse ka shqiptarë apo jo mes viktimave, por kjo është e dyta për nga rëndësia,” – tha Zyka.
Ai tregoi se treni i udhëtarëve vinte nga Athina për në Selanik dhe treni i mallrave nga Selaniku në Athinë.
Në mjetin që transportonte njerëz, sipas informacioneve të Zykës, kishte kryesisht studentë të cilët ktheheshin për në shtëpi nga shkollat.
Sipas tij është mungesa e sinjalistikës dhe bashkëpunimit njerëzor ajo që solli këtë tragjedi.
“Nuk është bërë koordinim i mirë i përgjegjësve të stacioneve,” – sqaroi Zyka.