Pas vitesh konflikti, Izraeli dhe Turqia po kthehen në marrëdhënie të plota diplomatike. Pas një afrimi të gjatë, dy vendet po emërojnë sërish ambasadorë dhe konsuj të përgjithshëm.
Izraeli dhe Turqia rivendosin plotësisht marrëdhëniet diplomatike. Të dyja vendet kanë vendosur të emërojnë ambasadorë dhe konsuj të përgjithshëm, tha zyra e kryeministrit izraelit Yair Lapid. Kjo masë pason vizitën e Lapidit në Ankara në qershor dhe një takim me kreun e shtetit turk Rexhep Tajip Erdogan, shtoi ai.
“Rifillimi i marrëdhënieve me Turqinë është një përfitim i rëndësishëm për stabilitetin rajonal dhe lajm i rëndësishëm ekonomik për qytetarët izraelitë”, tha Lapidi. Ne do të vazhdojmë të forcojmë pozicionin e Izraelit në botë.
Turqia nuk po braktis “kauzën e palestinezëve”
Ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu e konfirmoi marrëveshjen. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Turqia po braktis “kauzën e palestinezëve”, tha ai.
Erdogani është një mbrojtës i rëndësishëm i palestinezëve në konfliktin e Lindjes së Mesme dhe mban gjithashtu marrëdhënie me Hamasin, i konsideruar si një organizatë terroriste nga Izraeli, BE dhe Shtetet e Bashkuara. Hamasi ka nën kontroll Rripin e Gazës që nga viti 2007.
Rivendosja e marrëdhënieve të plota diplomatike është vazhdimi i një procesi afrimi gjatë vitit të kaluar, shtoi ai. Ky proces filloi me një vizitë të presidentit izraelit Izchak Herzog në Ankara dhe vazhdoi me vizitat reciproke të ministrave të jashtëm në Jerusalem dhe Ankara. Me Herzogun, në mars një president izraelit vizitoi Turqinë për herë të parë dhjetë vitet e fundit.
Turqia dhe Izraeli, dikur aleatë të ngushtë, u ndanë në vitin 2010 pasi dhjetë qytetarë turq u vranë kur marina izraelite sulmoi një anije solidariteti në Gaza.