Një sulm ajror izraelit në Rripin e Gazës të premten pasdite vrau një anëtar të lartë palestinez të Xhihadit Islamik, i gjashti që nga fillimi i raundit të fundit të armiqësive në fillim të kësaj jave.
Sulmi në lagjen Nasser të qytetit të Gazës që vrau Iyad al-Hassani, së bashku me një burrë tjetër që ushtria tha se ishte ndihmësi i tij, i dha një goditje tjetër grupit terrorist dhe pakësoi më tej shpresat për një armëpushim.
Në një deklaratë të përbashkët, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit dhe agjencia e sigurisë Shin Bet thanë se al-Hassani ishte një zyrtar i lartë në këshillin ushtarak të grupit, përgjegjës për departamentin e operacioneve të tij. Ditët e fundit, ai kishte zëvendësuar edhe kreun e Xhihadit Islamik në Gazën veriore, Khalil Bahtini, i cili u vra në një sulm izraelit të martën në mëngjes.
Një zëdhënës i Xhihadit Islamik konfirmoi vdekjen e al-Hassanit për AFP.
Sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi, pesë persona të tjerë u plagosën në sulmin ajror që synonte katin e fundit të një ndërtese apartamentesh.
“Ai ishte i përfshirë në të gjitha vendimet në lidhje me raketat dhe breshëritë me raketa të kryera nga grupi drejt Izraelit”, njofton IDF.