Jamie Shea: Kurti të tërhiqet nga retorika e ngushtë nacionaliste

Ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Jamie Shea ka dalë me një opinion të gjatë në lidhje me krejt situatën e krijuar pas tensioneve në veri të vendit. Ai ka disa këshilla për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, disa për presidentin serb, Aleksandër Vuçiq e edhe për partnerët ndërkombëtarë. Çka tha?

Fillimisht, në opinionin e tij Shea shpjegon se si ndodhi krejt situata, duke nisur që nga dalja në punë brenda objekteve komunale të kryetarëve të zgjedhur në veri.

“Ky hap unilateral dhe protestat kanë provokuar një qortim të pazakontë nga përkrahësit e Kosovës në ShBA dhe në Evropë.” – shkruan ai, derisa përmend përjashtimin e Kosovës nga ushtrimi “Defender Europe 23”.

Pas dy ditëve me trazira, Shea përmend se KFOR-i arriti ta qetësojë situatën dhe Kurti ndryshoi kusin.

“Fatmirësisht, pas dy ditësh trazira, KFOR-i arriti të qetësojë situatën, protestat vazhduan, por kryesisht në mënyrë paqësore dhe Kurti ndryshoi kursin e shpalli gatishmërinë e tij për zgjedhje komunale, në vetvete një pranim që një pjesëmarrje prej 3.5 për qind nuk i bën zgjedhjet legjitime apo demokratike.” – ka thënë ai.

Çka duhet të bëjë Kurti?

Pika e parë, që e përmend ish-zëdhënësi i NATO-s, është që Kurti dhe Qeveria e Lëvizjes Vetëvendosje “duhet të tërhiqen nga retorika e ngushtë nacionaliste dhe të ndryshojnë komunikimin me minoritetin serb”.

“Çdo herë që liderët kosovarë flasin për minoritetin serb, flasin vetëm për dhunë dhe ngatërrestarët, si dhe përfshirjen e Beogradit, në vend se të kuptojnë ankthin e serbëve dhe të ndërmarrin hapa për t’iu qasur atyre pozitivisht.” – thotë Shea.

Sipas tij, “nëse një grup i tërë apo një komunitet gjithmonë përshkruhet si tufë rebelësh, atëherë nuk është befasi e vogel nëse fillohet të veprohet ashtu në përputhje me rrethanat”.

Ish-zyrtari i njohur këshillon që Prishtina të ketë një strategji komunikimi me serbët.

“Duke bindur policinë serbe, personelin e sigurisë, po ashtu edhe zyrtarët që të rikthehen në pozitat e tyre pa ndonjë sanksion, është hapi i parë për ndërtim të një besimi mes shumicës dhe minoriteteve.” – ka shkruar ai.

E dyta, Shea kërkon që të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

“Kjo reformë është arritur në vitin 2013 mes Prishtinës dhe Beogradit, por nuk është implementuar. Idea ka një gjenezë që fillimisht u shty përpara nga përfaqësuesi i OKB-së, Marti Ahtisaari, pas konfliktit në vitin 1999.” – thuhet në opinionin e tij.

Në lidhje me këtë, ai tutje shkruan si vijon: “Komuniteti serb tani e sheh themelimin e Asociacionit si dëshmi të mirëbesimit të Prishtinës në adresimin e anktheve të saj”.

Palët tjera?

Pika tjetër, BE-ja dhe ShBA-ja duhet ta angazhojnë Beogradin për të miratuar një qëndrim më konstruktiv ndaj Kosovës.

“Retorika e fryrë dhe ekzagjerimet në lidhje me situatën e serbëve etnikë në Kosovë vetëm sa i hapin dyert makinerive propagandistike ruse dhe kineze për të nxitur këtë narrativë dhe për të demonizuar Prishtinën.” – thotë ai.

“Obsesioni” i Serbisë me Kosovën, sipas Shea, është i dëmshëm për zhvillimin e demokracisë së saj dhe për një të ardhme të mundshme për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

“Shumëkush kërkon ide innovative dhe propozime të reja në lidhje me këtë situatë, por ai thotë se nuk ka alternativë: maksimizoni procesin e anëtarësimit në BE për të bërë më shumë presion ndaj Prishtinës dhe Beogradit për t’i normalizuar marrëdhëniet mes tyre.” – ka thënë ai.

Shea thotë se anëtarësimi në BE mund të përdoret për më shumë presion ndaj palëve.

“Anëtarësimi në BE është një levë e cila mund të detyrojë Prishtinën dhe Beogradin që të pranojnë kompromistet e nevojshme që liderët nacionalistë në të dyja anët nuk kanë dëshirë t’i bëjnë.” – ka thënë ai.

Cila është ideja e ish-zëdhënësit të NATO-s?

“BE-ja duhet ta përshpejtojë procesin e anëtarësimit për Prishtinën, në mënyrë që ajo të arrijë deri në rrugën e anëtarësimit të Beogradit.” – kjo është ideja që ai e quan “të guximshme”.

Sipas ish-zyrtarit amerikan, “përderisa Serbia është shumë përpara në negociatat e saj me Brukselin, në rastin më të mirë, do ta trajtojë Kosovën si një partner të vogël e të pabarabartë”.

Kështu, ai thotë se nëse proceset janë të ndërlidhura me njohjen e Kosovës nga serbët dhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve, të dyja shtetet do të përfitojnë dhe do të nxiten më shumë që të bashkëpunojnë, e madje, edhe të koordinohen.

Opinionin e plotë të Jamie Shea mund ta lexoni në “Friends of Europe”.