Autokolona që shoqëronte arkivolin me trupin e ish kryeministrit japonez Shinzo Abe mbërriti në shtëpinë e tij, në Tokio, ndërsa funerali është planifikuar të mbahet në 12 korrik. Abe u qëllua për vdekje teksa mbante një fjalim elektoral në qytetin e Naras ditën e premte, në një ngjarje që tronditi të gjithë botën.
Ende mosbesues, japonezët e pamësuar me ngjarje të tilla, janë ende në shok dhe të shqetësuar për atë që e shohin si realitet të ri. “Kjo është e tmerrshme. Japonia nuk është më një vend i sigurt. Çdokush, përfshirë dhe mua, mund të përfshihet në sulme të tilla”, thotë një barno i kryeqytetit.
Motivet e dyshuara të vrasjes se udhëheqësit më jetëgjatë në Japoni, e liderit japonez me te njohur në botë janë po aq të pazakonta sa edhe atentati ndaj tij. Sipas Policisë, autori, një ish-marins 41-vjeçar, kishte dëshmuar se e kishte vrarë Aben pasi besonte që ishte pjesë e një organizate të caktuar, ndaj të cilës kishte mospëlqim.
Ai e kishte pranuar se kishte qëlluar nga pas 67-vjeçarin, me një armë të krijuar vetë. Sipas zyrtarëve të sigurisë arma përbëhej nga dru e metal, ndërsa në shtëpinë e agresorit u gjetën më vonë lëndë të dyshuar shpërthyese. Hetimet vazhdojnë për të përcaktuar nëse vrasësi kishte vepruar i vetëm.
Në rrjetet sociale japoneze, hashtagu “duam demokraci, jo dhunë” ishte mes më të shpërndarëve ditën e premte. Shumë përdorues u shprehën të tmerruar dhe neveritur nga ngjarja. Dhuna me armë është ekstremisht e rrallë në Japoni ku pistoletat janë të ndaluara dhe incidentet që përfshijnë politikanë janë thuajse të padëgjuara. Pasuesi i Abes, Kryeministri Fumio Kishida, u zotua se demokracia nuk do të gjunjëzohej kurrë ndaj dhunës në Japoni.