Të hënën ka nisur e të shtunën përfundon Java e Krenarisë me synim fuqizimin e komunitetit LGBTQI+. Sa i përket kësaj çështje, në Kosovë ende nuk është miratuar projektkodi civil, ndërsa ambasadori suedez dje ngriti një shqetësim tjetër- mungesën e strehimoreve.
Të hënën është bërë hapja zyrtare e Javës së Krenarisë në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, ku morën pjesë Kryekuvendari Glauk Konjufca dhe Ministrja Albulena Haxhiu. Të pranishëm ishin edhe disa nga ambasadorët e akredituar në Kosovë, të cilët kërkuan respektimin e të drejtave të pjesëtarëve të komunitetit LGBTQI+.
Shumë pjesëtarë të këtij komuniteti kanë hezituar që të dalin publikisht e të flasin për atë se si ndihen. Në të shumtën e rasteve, izolimi i tyre nisë qysh në familje për shkak se frikësohen që mund të përjashtohen.
Për personat e komunitetit LGBTQI+ që përjashtohen nga familja, në Kosovë nuk ka strehimore. Nevojën për ndërtimin e tyre e ka ngritur dje ambasadori i Suedisë, Jonas Westerlund.
Ai tha se në fjalimin në hapjen e Javës së Krenarisë ka folur për nevojën e miratimit të kodit civil, njohjen ligjore të identitetit ligjor dhe strehimoret për LGBTQI+.
“Dje mbajta fjalën hyrëse në hapjen e “Prishtina Pride 2024”. Theksova nevojën për miratimin e kodit civil, njohjen ligjore të identitetit gjinor dhe nevojën për strehimore për LGBTQI+ në Prishtinë”, ka shkruar ai në “X”.
Ndërsa ambasadori gjerman, Jorn Rohde, ka thënë se Gjermania është entuziaste që ka nisur Java e Krenarisë në Kosovë. Rohde ka thënë se të drejtat e komunitetit LGBTQI+ janë të drejta të njeriut dhe se ato nuk duhet të negociohen por të zbatohen.
Në hapjen e Javës së Krenarisë ka marrë pjesë edhe Jonathan Hargreaves, ambasador i Mbretërisë së Bashkuar, ka marrë pjesë në hapjen e Javës së Krenarisë.
Ai tha se të gjithë meritojnë të jenë në gjendje të duan atë që duan, pa frikë e përndjekje. Hargreaves shtoi se Britania do t’i mbështesë gjithmonë ata që kërkojnë ta forcojnë këtë të drejtë themelore.
“Mbretëria e Bashkuar mbështet lirinë- dhe kjo nënkupton liri që të gjithë që të jenë vetvetja. Të gjithë, kudo, meritojnë që të jenë në gjendje të duan atë që duan ta duan, pa frikë dhe pa përndjekje. Britania do të mbështesë gjithmonë ata që kërkojnë të forcojnë këtë të drejtë themelore. Isha i kënaqur që mora pjesë në hapjen e Javës së Krenarisë në Prishtinë në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.”
Projektkodi civil ende në sirtar, Kurti s’ka mbështetje
Më 16 mars të vitit 2022, votimi i projektkodit civil qe në rend të ditës, mirëpo nuk arriti të kalojë në lexim të parë. Në momentin e votimit, në sallë ishin 77 deputetë, prej të cilëve 29 votuan kundër, 28 për, 4 abstenuan, ndërsa 16 nuk morën pjesë në votim.
Ndonëse ishin dhënë disa afate, ky projekt kod qe më shumë se dy vjet nuk është proceduar më në Kuvend. Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë ka bërë disa ndryshime, por ministrja Haxhiu ka deklaruar se “nuk është bindur që mund ta procedojnë në Kuvendin e Kosovës nëse nuk janë të bindur se mund të kalojë”.
Ndërsa kryeministri Kurti kishte thënë se “personalisht do ta ndërtojë një shumicë parlamentare” për votimin e këtij projektkodi, që gjen refuzim të madh te deputetët e partisë që udhëheq vetë ai.
“Kosova do të synojë që së shpejti të bëhet vendi i dytë në Ballkanin Perëndimor, pas fqinjve tanë, Malit të Zi, duke ua ofruar qytetarëve të saj të drejtën e bashkimeve civile të të njëjtit seks. Ne do të punojmë shumë për ta kaluar këtë në të ardhmen shumë të afërt”, tha Kurti gjatë një fjalimi në shënimin e 75-vjetorit të themelimit të Këshillit të Europës, të organizuar nga Partia Socialdemokrate e Gjermanisë e kancelarit Olaf Scholz.
“Për këtë unë personalisht do ta ndërtoj një shumicë parlamentare dhe do të bëj thirrje për mbështetje të gjerë për këtë edhe nga partitë opozitare. Vendimi për mbledhjen e qeverisë për këtë çështje tashmë është marrë”, tha ai në fund të prillit, por akoma nuk ka pasur ndonjë lëvizje në këtë drejtim.
Kosova vend jomikpritës për komunitetin LGBTQI+
Spartacus Gay Travel Index, në mars të këtij viti, publikoi një raport ku Kosova renditet si vendi më pak mikpritës për personat e komunitetit LGBTQI+ në mesin e vendeve të Ballkanit dhe më keq se vendet e Bashkimit Evropian.
Nga maksimumi prej 12 pikë deri në minimumin -21 pikë, Kosova është vlerësuar me -4 pikë.
Sa më i ulët të jetë numri, as më i rrezikshëm cilësohet ai vend për personat e komunitetit LGBTQI+.
Në këtë raport, problem konsiderohet qasja armiqësore e banorëve lokalë ndaj personave të komunitetit LGBTQI+, ndërsa Kosova pikë pozitive merr vetëm për ligjin që e lufton diskriminimin.
Në raport, Kosova humb pikë edhe për moslejimin e martesave mes personave të gjinisë së njëjtë, që parashihet të rregullohet me projektkodin civil, i cili ende nuk është miratuar.
A do të marrin pjesë krerët e shtetit në Paradën e Krenarisë?
Në ditën e fundit të Javës së Krenarisë, më 8 qershor, do të organizohet Parada e Krenarisë.
Për të marrë pjesë në këtë paradë janë ftuar krerët e shtetit dhe politikanë tjerë.
Nga Prishtina Pride i kanë thënë Gazetës Express se “besojnë” që politikanët do të marrin pjesë në paradë por shtojnë se “mbetet të shihet më 8 qershor”.
“Si çdo vit, edhe këtë vit jemi siguruar që t`i ftojmë jo vetëm në Paradë, por në të gjitha aktivitetet e Javës së Krenarisë, edhe përfaqësuesit e institucioneve, dhe jo vetëm ata. Ne besojmë që edhe këtë vit ata do të na bashkëngjiten në ecje sikurse viteve të kaluara. Kjo mbetet të shihet me 8 qershor, në Paradën e Krenarisë”, kanë thënë nga Prishtina Pride për Express.
Express ka dërguar pyetje në adresë të presidencës, qeverisë dhe kuvendit nëse do të marrin pjesë në paradë dhe është në pritje të përgjigjes.