Jo tre, por katër – edhe ky deputet i LDK-së e thotë hapur se ishte kundër rrëzimit të Qeverisë Kurti

Kundër rrëzimit të “Koalicionit të Shpresës” ishte dhe një deputet i Parlamentit nga Gjilani. Fatmir Rexhepi thotë se në këtë kohë iu bashkua thirrjeve të OBSH për të luftuar koronavirusin e jo për të rrëzuar Qeverinë. Thotë se rënia e ekzekutivit është kundër mesazhit të qytetarëve për një Qeveri që garantonte ndryshim e drejtësi.

Fatmir Rexhepi është deputeti i katërt i LDK’së që po del hapur se ishte kundër rrëzimit të Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti në kohën kur Kosova vazhdon të përballet me koronavirusin. Që mos të rrëzohej Qeveria kishin votuar Vjosa Osmani, Haxhi Avdyli dhe Ardian Shala. Kurse Deputeti Rexhepi nuk ka marrë pjesë në seancën e mocionit për rrëzimin e qeverisë që është mbajtur më 25 mars.

Tash, thotë se s’mund të ishte pro rrëzimit të një Qeverie e cila garantonte ndryshim e drejtësi.

“Kështu, unë si deputet, i vetmi anëtar nga koha dhe Kabineti i Presidentit Rugova në Parlament, vazhdoj t’i mbesë besnik traditës dhe frymës së ndërtimit të institucioneve demokratike në çdo kohë dhe jo për rrëzimin e tyre në kundërshtim me mesazhin dhe vullnetin e qytetarëve të shprehur përmes zgjedhjeve demokratike për Qeveri me një format të pastër politik që do të garantojë ndryshim, drejtësi, zhvillim dhe diplomaci për interesa nacionale të vendit, duke ecur në hap me kohën në drejtim të integrimeve euro atlantatike”, ka deklaruar Rexhepi, në një përgjigje me shkrim.

Sidoqoftë, edhe gjatë kohës kur zhvilloheshin bisedimet për ndërtimin e koalicionit LDK-VV, Fatmir Rexhepi kërkonte një bashkëqeverisje të tillë ndërmjet dy partive që dolën të parat në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019.

Aktualisht, Kosova po përballet me përballjen me koronavirusin. Nga kjo sëmundje kanë vdekur 7 persona, janë infektuar 283 dhe janë shëruar 58 të tjerë.

Edhe kur nisi kriza në Parlamentin, koronavirusi kishte filluar të prekë edhe Kosovën. Në këtë situatë, Fatmir Rexhepi thotë se i është bashkuar thirrjeve të OBSH kundër pandemisë e jo rrëzimit të Qeverisë.

“Në këtë kohë në respektim të rekomandimeve të OBSH-së, zëri im si deputet u bashkua me të gjithë parlamentarët dhe qeveritë e tjera të botës në betejën kundër pandemisë Covid-19”, ka thënë Rexhepi.

Rexhepi u shpreh se ka refuzuar të bëjë argatin në punëtorinë “Hajde ta prishim shtëpinë e re”.

“Refuzova, sepse në Kosovën tonë Sui-Generis ndodhi e kundërta nga ana e Presidentit, Qeverisë si dhe drejtuesve të partive politike në ditët me të rënda për qytetarët dhe vendin, duke e rënduar edhe më shumë krizën e përgjithshme sociale, ekonomike dhe politike, në vend se të vazhdojnë qeverisjen dhe të gjejnë kompromiset e bashkëqeverisjes deri në një kohë më të mirë”, ka shtuar ai.

Ai nuk ka komentuar se a duhet LDK-ja të formojë qeveri më AAK-në, Nismën dhe pakicat e as përplasjen në distancë në mes dy nënkryetarëve Vjosa Osmani dhe Agim Veliu.

Deputeti i LDK-së tha se beteja e tij dhe e institucioneve duhet të jetë në ndërmarrjen e masave për parandalimin dhe luftimin e koronavirusit.

“Sot, beteja e institucioneve të Kosovës dhe e imja si deputet do duhej të ishte në ndërtimin e strategjive aktuale, masave dhe paketës financiare për nevoja sociale të qytetarëve dhe në mbështetje për mjekët, policinë, ushtrinë në këtë situatë krize”, ka thënë Rexhepi.

Lëvizja Vetëvendosje doli e para në zgjedhjet e fundit me një deputet më shumë se LDK’ja. Këto dy parti lidhën koalicion, të cilin e pagëzuan si “Koalicioni i Shpresës”. Megjithëse negociatat për lidhjen VV-LDK zgjatën disa muaj, qeverisja zgjati vetëm 40 ditë. Kjo pasi VV s’pajtohej me qëndrimin e LDK’së për të hequr taksën pa vendosur reciprocitetin, s’pajtoheshin as për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Në këtë situatë, Albin Kurti, vendosi të shkarkonte Ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliun, i cili është edhe Nënkryetar i LDK’së me çka i dha edhe fund “koalicionit të shpresës”. Pas kësaj, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Kurti u shkarkua nga më shumë se 2/3 e votave të deputetëve të Parlamentit.