Krimi ka ndodhur natën e 31 gushtit 2021, në zonën industriale të Dietlikonit, Kantoni i Cyrihut: Dy hajdutë vodhën fillimisht një aparat saldimi nga një servis makinash. Ata i tërhoqën me një karrocë me dy skuter elektrikë në një bankomat disa qindra metra larg.
Atje ata futën një përzierje oksigjen-acetileni në pajisje, e ndezën atë dhe hodhën në erë bankomatin në orën 3 të mëngjesit, transmeton albinfo.ch. Sipas aktakuzës, “topi i zjarrit” (shpërthimi) kishte një diametër prej dhjetë metrash. Dëmi material ishte 69.000 franga. Megjithatë, arkat e parave në bankomat i rezistuan shpërthimit. Ndaj autorët janë larguar pa asnjë plaçkë.
Njëri nga dy personat u arrit të identifikohet: ADN-ja e një babai kosovar 48-vjeçar u gjet në kapakun e sistemit të saldimit. Ai tani po përballet me akuza para Gjykatës së Lartë Kantonale të Cyrihut, shkruan nzz.ch. Në qershor 2023, Gjykata e Qarkut në Bülach e kishte dënuar atë me 64 muaj burgim dhe 14 vjet dëbim nga vendi për shkaktimin e një shpërthimi dhe shumë vepra të tjera.
“Thjesht nuk na duhen shpërthyesit e bankomatëve në Zvicër”, deklaroi kryetari i trupit gjykues në shpalljen e vendimit.
Para Gjykatës së Lartë i akuzuari kërkon lirimin e plotë dhe dëmshpërblimin për dënimin e mbajtur me burg. Ai është i pafajshëm. “Akuzat nuk janë të vërteta,” thotë ai. Ai supozon se ADN-ja e gjetur në makinën e saldimit nuk është ADN-ja e tij dhe ai “nuk e ka idenë” se si ADN-ja arriti atje.
I akuzuari ka lindur në Kosovë dhe ka ardhur në Zvicër në vitin 1989 në moshën 13 vjeçare. Ai ka kryer një kualifikim, nuk është bërë kurrë shtetas i natyralizuar, ka qenë i papunë që nga viti 2005 dhe ka kryer vazhdimisht delikte. Në vitin 2011 ai u deportua, edhe pse ka familje dhe fëmijë në Zvicër, dhe iu ndalua hyrja në vend për pesë vjet, përcjell albinfo.ch. Deri atëherë, ai kishte akumuluar dënime me burg në total prej 40 muajsh për dënime të ndryshme.
Në vitin 2016, gruaja e tij, e cila kishte mbetur në Zvicër, ka aplikuar për bashkim familjar dhe atij i është dhënë sërish leje qëndrimi. Megjithatë, ai kishte fshehur nga autoritetet se ishte dënuar me 7 vjet e 8 muaj burg në Shqipëri në vitin 2012 për kontrabandë të 110 kilogramëve hashash.
Kështu ai tani akuzohet për “mashtrim të autoriteteve”. Për shkak të një gabimi të Zyrës së Migracionit, atij i qe lejuar sërish hyrja në Zvicër në vitin 2016 si pjesë e procesit të bashkimit familjar, gjë që nuk do të kishte ndodhur nëse ai do të kishte dijeni për dënimin në Shqipëri. Nga tetori 2016 ai zyrtarisht jetoi sërish në Cyrih.
Para Gjykatës së Lartë, i akuzuari deklaroi se nuk e dinte që duhej të tregonte këtë dënim të mëparshëm në kërkesën e tij pe¨r ardhje në Zvicër. Ai kishte supozuar se autoritetet zvicerane e dinin se ai ishte burgosur në Shqipëri, përcjell albinfo.ch. Ai nuk është dënuar asnjëherë në Kosovë. Ai thotë se ka menduar se duhej të plotësonte vetëm katrorin për të treguar nëse ishte dënuar në Kosovë ose jo.
Prokurori publik, i cili e kishte cilësuar të akuzuarin në gjykatën më të ulët si “kriminel profesionist që i ka parë të gjitha”, në akuzën e tij ka kërkuar që dënimi me burg të rritet në 73 muaj. Dëbimi duhet të konfirmohet. I akuzuari ka humbur përfundimisht të drejtën e qëndrimit në Zvicër. Ai gjithashtu zotëron një shtëpi madhështore me 12 dhoma në Kosovë. “Faleminderit, mjafton, ai duhet të shkojë tani!” deklaron prokurori.
Avokati mbrojtës ndër të tjera vë në dyshim vlerësimin e analizës së gjurmëve të ADN-së dhe kërkon lirimin e plotë dhe heqjen dorë nga dëbimi nga vendi edhe në rast dënimi. Është një “rast vështirësie”. Kujdesi shëndetësor i të akuzuarit, i cili vuan nga disa sëmundje kronike, në Kosovë nuk është i garantuar, sipas tij.
Në fund: 48-vjeçari kosovar është shpallur sërish fajtor për shkak të shpërthimit, mashtrimit të autoriteteve dhe shumë vepra të tjera, me gjithsej dhjetë akuza. Dënimi me burg është rritur nga 64 muaj në 66 muaj. Prej tyre 1138 ditë kanë kaluar në paraburgim. Kohëzgjatja e dëbimit zvogëlohet nga 14 vjet në 10 vjet.
Aktgjykimi SB240114 i datës 14 shkurt 2025, ende jo përfundimtar.