POLITIKE

Kabineti i Dodikut ngre flamurin e Serbisë pavarësisht ndalesës

Flamuri i shtetit të Serbisë u vendos në hyrje të selisë së presidentit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, më 13 shkurt, një ditë pasi Gjykata Kushtetuese e Bosnje dhe Hercegovinës e ndaloi atë.

Krahas flamurit të Serbisë është edhe ai i Republikës Sërpska, por jo edhe ndonjë simbol tjetër i shtetit të Bosnje dhe Hercegovinës, njësi administrative e të cilit është edhe Republika Sërpska.

Në të njëjtën kohë, toga e nderit e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) në këtë entitet ushtroi himnin serb “Zoti i drejtësisë”, në kuadër të përgatitjeve për mirëpritjen e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Banja Llukë, dhe shënimit të përbashkët të Ditës së shtetësisë serbe dhe të ashtuquajturës Ditë e shtetit të Republikës Sërpska.

Gjykata Kushtetuese e Bosnje dhe Hercegovinës i shfuqizoi përkohësisht dispozitat e ligjit në Republikën Sërpska që lejonin shfaqjen e simboleve të shteteve të huaja, me shpjegimin se një gjë e tillë mund të interpretohet si “shkelje e sovranitetit dhe integritetit territorial të Bosnje dhe Hercegovinës në një pjesë të territorit të saj”.

“Shfaqja e simboleve të shteteve të huaja krahas simboleve të entiteteve, me ose pa simbole të shtetit të Bosnje dhe Hercegovinës, mund të krijojë iluzionin e mosekzistencës së sovranitetit, integritetit territorial dhe pavarësisë politike të Bosnje dhe Hercegovinës”, deklaroi Gjykata Kushtetuese e këtij vendi në vendimin e datës 12 shkurt.

Jo shumë larg pallatit të Republikës Sërpska, në dy direkë të lartë në oborrin e Tempullit të Krishtit Shpëtimtar u vendosën, gjithashtu, flamuj të Serbisë dhe të Republikës Sërpska.

Dodik e paralajmëroi vendosjen e tyre si pjesë të shënimit të përbashkët të Ditës së shtetësisë së shtetit serb dhe të Republikës Sërpska.

Në Kuvendin gjithëserb të 8 qershorit të vitit të kaluar në Beograd u vendos që Dita e shtetësisë së Republikës së Serbisë të festohej edhe si “Dita e Shtetësisë” së Republikës Sërpska dhe të shënohej bashkërisht.

Republika Sërpska nuk është shtet, por njësi administrative e shtetit të Bosnje dhe Hercegovinës.

Fjalë e diskutueshme është ‘shtetësia’ dhe atribuimi i saj për një njësi administrative brenda Bosnje dhe Hercegovinës.

Miratimi i dokumentit në të ashtuquajturin Kuvend gjithëserb u dënua nga anëtarët e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Denis Beqiroviq dhe Zhelko Komshiq, si dhe nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vizitoi për herë të fundit Banja Llukën në gusht të vitit 2023, kur tha se sanksionet e Shteteve të Bashkuara kundër udhëheqjes së Republikës Sërpska dhe Serbisë “nuk ekzistojnë për vendin e tij”.

E gjithë udhëheqja e Republikës Sërpska, me në krye Dodikun, është në listën e sanksioneve të SHBA-së për aktivitete që minojnë shtetin e Bosnje dhe Hercegovinës.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Bosnje dhe Hercegovinës për ndalimin e vendosjes së flamujve të vendeve të tjera në Republikën Sërpska, mbetet në fuqi deri në vendimin përfundimtar të kësaj gjykate, lidhur me ndryshimet në Ligjin për përdorimin e flamurit, stemës dhe himnit të Republikës Sërpska./REL

FM IMAGES

FM IMAGES ALBANIA - Copyright © 2025 e-mail: info@fmimages.net. All Rights Reserved.

Recent Posts

“Divorci” i hidhur me Musk, Trump reagon sërish: I ka ikur mendja, s’dua të flas më

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka komentuar sërish përplasjen e ashpër që pati…

2 orë ago

Përplasje fatale në Spanjë, humbin jetën tre shqiptarë dhe një oficer policie pas grabitjes

Një ndjekje dramatike në Puerto de la Torre të Spanjës ka përfunduar tragjikisht me katër…

2 orë ago

Pjesëmarrja në Haxh bie në nivelin më të ulët në 30 vjet

Haxhi i këtij viti në Arabinë Saudite tërhoqi numrin më të ulët të pelegrinëve në…

7 orë ago

Azilanti palestinez e godet derën e stacionit policor në Lipjan – Dëmton zyrën gjatë intervistimit, ndalohet për 48 orë

Një incident i pazakontë ka ndodhur të enjten në stacionin policor në Lipjan, ku një…

7 orë ago

Serbët ‘bukë me vete’ në Shqipëri, ekipi i Stojkovic mbërrin sot në Tiranë! Masa të forta sigurie

Ekipi serb i futbollit mbërrin sot në Tiranë për sfidën e së shtunës (7 qershor…

8 orë ago

“Trump duhet të shkarkohet, t’a zëvendësojë JD Vance”, shtatë ditët e përplasjes së Presidentit me Elon Musk

Elon Musk ka shpërndarë një postim ku kërkohet që Presidenti Trump të shkarkohet. Një përdorues…

8 orë ago