Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka akuzuar ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, se ka amnistuar aktivistë të Vetëvendosje duke i liruar nga karantina në konvikte. Në anën tjetër, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka quajtur skandaloz publikimin e dokumentit nga Kadrijaj, e në të cilin shihen emrat e personave që lirohen si raste psikiatrike pas vlerësimit të mjekëve.
“Të gjithë e kuptojmë ligjin, dhe e kuptojmë se ligji duhet të respektohet nga të gjithë: askush nuk është mbi ligjin. Ministri i Shëndetësisë paska amnistuar aktivistët e VV-së, duke i liruar nga karantina në konvikte. Tash le të përgjigjet ministri pse ka ndodhë kjo!”, ka shkruar Kadrijaj si përshkrim të fotografisë ku shihej vendimi se lejohet dalja nga zona e karantinës “Qendra e Studentëve” për disa persona, “pas konfirmimit dhe vlerësimit të ekipit mjekësor specialistik si raste psikiatrike, personat e lartëshënuar shkojnë në vetëizolim”.
Vendimi shihet të jetë nënshkruar nga ministri Vitia.
Reagim për këtë ka pasur ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo e ka quajtur çnjerëzore e të pajustifikueshme letrën e publikuar me emrat e të liruarve nga karantina.
“Politika ekziston pikërisht ngaqë komuniteti angazhohet për të mirën e përbashkët, të individëve të bashkësisë. Politika nuk mund të jetë, nuk guxon të jetë antihumane. Ajo s’është politikë më pastaj, është krim. Kjo çfarë bëri sot znj. Kadriaj është kulmi. Për të goditur politikisht ka dëmtuar rëndë dinjitetin dhe integritetin e personave duke publikuar emrat dhe diagnozat e tyre. Pra, zonja Kadriaj që vetë thotë se është mjeke sot na dëshmoi të kundërtën. Kjo është çnjerëzore, e pajustifikueshme, shumë ultë dhe në kundërshtim me legjislacionin dhe konventat evropiane. Jam e shokuar nga ky nivel”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Kadrijaj nuk ka zgjatur shumë dhe i është kundërpërgjigjur Haxhiut. Ka thënë se vendimi i ministrit “është selektiv”, teksa i ka bërë thirrje prokurorisë të hetojë vendimin.
“Të gjithë të apostrofuarit kanë zbritur në aeroport dhe janë karantinuar, pastaj vendimi i ministrit në formën selektive si po i dërgojka në ambientet private. Nëse koke ba mjeke tregoje pershkrimin e eksperteve. Po nejse ti tana i din. Thirrje prokurorisë ta hetoj vendimin selektiv te ministrit Vitia!” thuhet në përgjigjen e Kadrijajt.
Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë ka thënë shkurt për KOHËN se së shpejti do të dalë me një deklaratë zyrtare për këto akuza.