Kallasi për vizitën e Vuçiqit në Moskë: Shtetet anëtare s’e pranojnë lehtësisht këtë

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka komentuar vizitën në Moskë të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Duke u pyetur nga gazetarët në konferencë për media, pas takimit joformal të ministrave të jashtëm të BE-së në Varshavë, Kallas ka thënë se “mbetet në ndërgjegjen e gjithë atyre që po shkojnë përkrah Putinit”.

“Nga këndvështrimi pozitiv, ushtria e Serbisë s’po merr pjesë në paradë. Do të kishte qenë hap në nivel tjetër. Sigurisht mbetet në ndërgjegjen e gjithë atyre njerëzve që po shkojnë përkrah Putinit, i cili po bën luftë tash, jo në histori, por tash. Luftën më të madhe në Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore. Sigurisht, siç kam thënë më herët, shtetet anëtare nuk e pranojnë lehtësisht. Kur diskutojmë hapat e ardhshëm, shtetet anëtare kanë shumë pyetje. Kush është miku yt? Me kë po merresh?” – ka thënë Kallas.

Vuçiq gjendet në Moskë me ftesë të presidentit rus Vladimir Putin, për të marrë pjesë në paradën e Ditës së Fitores.

Vizitën e nisi të mërkurën. Të premten ai pritet të ketë takim me presidentin rus Vladimir Putin.

E ministri i Jashtëm i Polonisë, Radoslaw Sikorski, ka thënë se “duhet qartësi morale, të dihet se kush është agresori e kush është viktima e agresionit dhe se Lufta e Dytë Botërore s’bën të vë hije mbi këtë”.

Ai ka thënë se presidenti rus Putin po mundohet të vë hije, pasi luftën në Ukrainë e nisi me pretendimin se po e lufton nazizmin.

“Ukraina është shtet demokratik, e Rusia ka më tepër të burgosur politik tash se që kishte në kohën e Bashkimit Sovjetik. Duhet të kemi qartësi morale, kush është agresori e kush është viktima e agresionit. Lufta e Dytë Botërore s’bën të përdoret për të vënë re mbi këtë çështje”, ka thënë Sikorski.