Kush është femra e vetme e Njësisë Speciale të Kosovës? Cili është momenti më i vështir më të cilin ajo është përballur? Si e kujton ajo arrestimin e parë që kishte kryer? Si është përballuar ajo me paragjykime? Për karrierën e saj gjashtë vjeçare në Njësinë Speciale Operative si dhe për sukseset e saja si sportiste, Gazeta Insajderi, sjell reportazhin me vajzën e “Hekurt” Marigona Beadini.
Dikur kampione në sportin e Boksit dhe Karatesë, tash pjesëtare e Njësisë Speciale.
Marigona Beadini, 35-vjeçarja nga Prishtina, në një rrëfim për Insajderin, ka treguar përvojën e saj gjashtë vjeçare si police e Njësisë Speciale Operative të Kosovës.
Marigona ka rrëfyer eksperiencat më të vështira që është përballur, tash e gjashtë vjet në Njësinë Speciale, por edhe për periudhën e saj si sportiste e suksesshme.
“Si pjesëtare e Njësisë Speciale prej vitit 2014. Gjithë jetën ja kam kushtuar dy sporteve luftarake. Me sportin e karatesë prej vitit 1996 deri në 2005, ku pastaj me boks kam vazhduar prej 2006 deri në vitin 2012, kur jam bërë pjesë e Policisë së Kosovës. Kam pas rezultate në të dyja sportet. Në karate, kam qenë kampione e botës”, ka thënë fillimisht Beadini.
Ajo vet nuk e kishte menduar kurrë që të bëhet police në Policinë e Kosovës. E këtë propozim, Marigona tregon se e kishte marr nga familja dhe miqtë. Ndërsa kur është hapë konkursi, ajo tregon se deri në ditën e fundit nuk i ka dorëzuar dokumentet.
“Po në Policinë e Kosovës, shoqëria dhe familja kanë qenë ata që më kanë bërë si propozim. Ka pas konkurs në atë kohë edhe nuk o që kam menduar me u bë ndonjëherë police, se kam qenë boksiere në Klubin e Boksit Prishtina, e mendoja që po e ndërroj profilin. Në ditën e fundit i kam dorëzuar dokumentet, dhe nuk është që e kam pas ndonjë entuziazëm që ka me u pranuar ose qe ka me filluar”, pohoi ajo.
Marigona Beadini, tregoi se kur e ka nënshkruar kontratën si kadete në Akademinë e Policisë në Vushtrri, gjithçka në jetën e saj ka ndryshuar. Ajo thotë se po atë ditë filloi një dimension tjetër i jetës. Pas gjithë kësaj, Marigona pretendonte që gjithmonë të shkojë lartë e më lartë. Tani ajo e cila është pjesë e Njësisë Speciale, duke se po i nxjerr telash me të ëmën, pasi që, siç tregon Marigona, gjithmonë familja dhe nëna e saj është në stres, duke qenë se ky njësit është pak me rrezik.
Kanë kaluar gati 8 vite që kur Marigona Beadini është bërë pjesë e Policisë së Kosovës. Edhe pse ka kaluar kohë e gjatë, ajo ende e ka të freskët momentin e arrestimit të parë.
“Po, ka qenë shumë interesant. Ka qenë dita e parë qe e kemi kryer trajnimin fushorë jashtë në teren. Ka qenë dita e parë që kemi dal të pavarur, unë me një koleg, edhe ka qenë dimër. Kemi qenë në ndërrimin e paradites me një person të alkoolizuar. Ai nuk iu është bind urdhrave tonë, edhe jemi mundu me e mbjatë në kontroll, me e dërguar në stacion pa e arrest, sepse ka qenë dimër edhe rrëshqisnim shumë. Mezi që ecshim. Nuk e kemi pas atë vetëbesimin që a po mundemi me e mbajt në kontroll, me e ba arrestimin në mënyrën e duhur qysh e kishim mësuar në shkollë, edhe nuk na është bind, bile edhe pati filluar me u egërsuar edhe me na sulmuar. Atëherë jemi detyruar me e prangos. Fati që kemi qenë afër stacionit, edhe e kemi dërguar në stacion, aty ku pata filluar me punë”, shprehet Marigona