A2 ka siguruar një foto të Ardian Begës në Portin e Durrësit, duke u afruar të marrë pakot me kokainë të fshehura në dy kontejnerë. Policia e ka arrestuar Begën, bashkë me Altin Myslihakën dhe Gjykata për Krimet e Rënda dha më herët gjatë ditës masën e sigurisë arrest me burg.
Ardian Bega, i arrestuar nga Policia
Pas një operacioni të Policisë shqiptare, në bashkëpunim edhe me autoritetet greke dhe ato amerikane të DEA-s, në port u sekuestruan 137 kg kokainë, e fshehur në dy kontejnerë. Ato kishin mbërritur në Shqipëri nga Greqia, ndërsa prejardhja e saj është nga Ekuadori.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, tha se një person i tretë është shpallur në kërkim, i cili mësohet se quhet Gentian Malindi, ndërsa u shpreh se mund të ketë edhe persojna të tjerë të përfshirë. Edhe pse Policia nuk e konfirmoi zyrtarisht, pasi hetimet vazhdojnë, droga me shumë gjasa kishte si destinacion tregun europian.