Deputetja britanike, Alicia Kearns, ka thënë se ende nuk janë vendosur masa ndaj Serbisë, pavarësisht vrasjes së policit kosovar në Banjskë të Zveçanit.
Në llogarinë e saj në platformën X (ish-Twitter), ajo ka theksuar se ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, mbetet i lirë në Serbi.
“Radoiçiq mbetet i lirë në Serbi. Ende nuk ka pasoja për Beogradin nga Britania e Madhe, ShBA-ja, BE-ja, pavarësisht vrasjes së oficerit të policisë, armatosjes së paraushtarakëve, rrëmbimit të policëve, rolit në plagosjen e rëndë të trupave të NATO-s. Megjithatë, Kosova mbetet nën sanksionet e BE-së. Diplomaci parandaluese?”, ka shkruar ajo.
Reagimin e deputetes britanike e ka shpërndarë edhe ambasadori i Kosovës në Britani të Madhe, Ilir Kapiti.
“Do të ishte thellësisht zhgënjyese nëse Serbia nuk do të përballej me pasoja për trajnimin dhe mbështetjen e terroristëve për të sulmuar një vend sovran. Mungesa e veprimit në përgjigje ngre pyetje të rëndësishme. Ndërkohë, çuditërisht, Kosova i nënshtrohet masave (sanksioneve) të BE-së”, ka shkruar Kapiti në platformën X.
Situata në veri të Kosovës mbetet e tensionuar që kur më 24 shtator, polici Afrim Bunjaku u vra në Banjskë të Zveçanit nga një grup i armatosur serb. Në një aksion pasues, nga përplasja e Policisë me grupin e armatosur mbetën të vrarë tre terroristë.
Për rastin u arrestuan tetë persona, katër prej të cilëve u liruan. Policia e Kosovës pasi mori nën kontroll Manastirin në fshatin Banjskë gjeti një sasi të madhe armatimi dhe mjetesh ushtarake, në mesin e tyre edhe automjete me mbishkrimin KFOR.
Dy ditë më pas Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla publikoi pamje nga droni, e ku shihej Radoçiqi në krye të grupit terrorist.
Më 29 shtator, Millan Radoiçiq e ka marrë përgjegjësinë për organizimin dhe sulmin në Banjskë të Zveçanit, në veri të Kosovës.
Ai është marrë në pyetje nga autoritetet serbe më 3 tetor lidhur me zhvillimet në Banjskë, ndërsa është liruar nga mbajtja më 4 tetor.