Kërcënoi me vrasje ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Gjykata merr vendim për të akuzuarin

Imer Gashi është dënuar me 10 muaj burgim pasi ka pranuar se përmes telefonit ka dërguar porosi në formë elektronike (e-mail) në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, duke kanosur me vrasje ambasadorin dhe zyrtarët e tjerë.

E-maili në adresë të ambasadës ishte dërguar në qershor të këtij viti, ku sipas aktakuzës, Gashi kishte kërkuar nga ambasadori ndalimin e grupeve kriminale në Kosovë në të kundërtën do të ndodhte vrasja.

Aktgjykimi ndaj Gashit është shpallur të hënën nga gjykatësi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Vesel Ismajli, pasi që i akuzuari deklaroi se pranon fajësinë për veprën penale “rrezikimi i personave me mbrojtje ndërkombëtare”.

I akuzuari Imer Gashi deklaroi se i kupton pasojat dhe benefitet e pranimit të fajësisë dhe se ndihet thellësisht i penduar.

“Pendohem jashtëzakonisht thellë për veprën penale që e kam kryer, kërkoj falje publikisht në emër timin dhe të familjes”, tha i akuzuari.

Pranimi i fajësisë nga i akuzuari u mbështet edhe nga mbrojtësi i tij, avokati Leart Kryeziu, i cili tha se pranimi i fajësisë është bërë pas konsultimit të mjaftueshëm me të dhe se i njëjti ndihet i penduar, duke kërkuar nga gjykata që të mbrojturit të tij t’i shqiptohet një dënim sa më i butë.

Prokurori, Afrim Shefkiu deklaroi se pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarit Gashi është i plotë dhe në përputhje me provat materiale të bashkangjitur aktakuzës. Ai i propozoi gjykatës që pranimin e fajësisë ta aprovoj.

Pas deklarimeve të tyre, gjykatësi Ismajli ka aprovuar pranimin e fajësisë dhe ka bërë shpalljen e aktgjykimit.

Lidhur me propozimin e mbrojtjes për ndryshimin e masës së sigurisë, gjykata mori aktvendim me të cilin i ndërpreu masën e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Gjykatësi Vesel Ismajli gjatë shpalljes së aktgjykimit njoftoi palët se brenda afatit ligjor kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Ndryshe, sipas aktakuzës të ngritur më 3 shtator 2021, Imer Gashi ngarkohet me veprën penale “rrezikimi i personave me mbrojtje ndërkombëtare”.

Në aktakuzë thuhet se Gashi më 16 qershor të vitit 2021, me paramendim dhe dashje, përmes telefonit dhe emalit të tij, në adresën zyrtare të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka kanosur seriozisht ambasadorin dhe përfaqësuesit e kësaj ambasade.

Sipas aktakuzës, Gashi kishte thënë se nuk ka pasur qëllim të vrasë ambasadorin, por të sensibilizojë Ambasadën e SHBA-së në Kosovë me padrejtësitë ndaj familjarëve të tij në një proces gjyqësor, raporton Betimi për Drejtësi.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.