Pasi reagoi ndaj miratimit nga ana e parlamentit irakien të rezolutës për largimin e trupave ushtarake amerikane nga vendi, Tramp kërcënoi sërish Iranin. Kreu i shtëpisë së bardhë u shpreh se nuk ka asnjë arsye, që të mos godasë objektet kulturore iraniane.
Donald Trump përsëriti dhe njëherë kërcënimin për të sulmuar dhe objekte kulturore iraniane, në rast se do të ketë raprezalje të Iranit për vrasjen e gjeneralit Kasem Sulejmani. Kreu i shtëpisë së Bardhë, tha se nëse iranianëve u lejohet të vrasin, torturojnë amerikanët, atëherë pse amerikanëve nuk u lejohet të godasin objektet e tyre kulturore.
“Nuk funksionon kështu!” theksoi ai.
Kërcënimi rikujton atë të dy ditëve më parë të postuar në Twitter nga Trump, i cili paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë në objektiv 52 objekte kulturore të Iranit, shifër e njëjtë me atë të pengjeve që u sekuestruan në ambasadën amerikane në Teheran në vitin 1979.
Ministri i jashtëm Iranian Zarif, nga ana e tij kishte reaguar duke thënë se goditja e objekteve kulturore do të ishte një krim lufte.
Ndërkohë pas miratimit në parlamentin irakien, të rezolutës për largimin e grupave ushtarake amerikane nga vendi, kreu i shtëpisë së bardhë kërcënoi me sanksione të mëdha.
Trump kërkoi dhe paratë e shpenzuara për bazën ushtarake amerikane në Irak:
“Atje kemi një bazë jashtëzakonisht të kushtueshme, ndërtimi i saj ka kushtuar miliarda dollarë, para se të vija unë në Shtëpinë e Bardhë. Nuk do të largohemi deri sa të marrim aq para sa kemi shpenzuar”, u shpreh Presidenti Amerikan.