Kërkesa e LDK’së për VV’në, kërkojnë një ministri për të kompensuar kryeparlamentarin?

Partia e udhëhequr nga Isa Mustafa mund t’i prezantojë në takimin e sotëm Albin Kurtit ofertën e fundit për koalicion. Rrjedhimisht, nga LDK-ja, ende nuk kanë kanë folur për kushtet që mund t’i kenë tani në tavolinë të diskutimit. Merret vesh se një ofertë e pranueshme për partinë e Mustafës mund të jetë ajo e ndarjes së ministrive 6 + 4, duke e nënkuptuar marrëveshjen për presidentin, shkruan Gazeta Express

Takimi i djeshëm që zgjati mbi tre orë në mes Albin Kurtit, liderit të LV-së, dhe Isa Mustafës, të parit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, solli zhvillime interesante.

Derisa Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar propozimet për kabinet qeveritar, tash ka mbetur në dorë të LDK-së, që të tregojë emrat e tyre.

Kjo ishte bërë edhe si kërkesë për Mustafën, përmes një video mesazhi që pak ditë më parë publikoi Kurti.

Ani pse nuk është konfirmuar zyrtarisht, merret vesh, se një kërkesë e re mund të rrjedh nga partia e Isa Mustafës, që ditëve të fundit ka mobilizuar strukturat e partisë për të diskutuar për koalicionin.

LDK është duke kërkuar negocimin e një ministrie, për t’u barazuar me pozitën e kryeparlamentarit, pasi që kjo pozitë tashmë i ka shkuar Lëvizjes Vetëvendosje, me zgjedhjen e Glauk Konjufcën.

Megjithatë, LDK-ja nuk ka bërë ndonjë propozim konkret për ndonjë dikaster të caktuar, të cilën do ta pranonin për t’u barazuar me kryeparlamentarin. Të njëjtët mbetet që në takimin e sotëm të bëjnë ofertën e fundit në tavolinë të diskutimit.

Pasi që LV-ja ka marrë kryeparlamentarin, merret vesh se LDK po kërkon t’i  merr 6 ministri, zëvendëskryeministrin e parë, si dhe t’i jepet premtimi për presidentin që do ta pasojë Hashim Thaçin.

Rrjedhimisht ndarja e pozitave në ministri mbetet 6 + 4, LDK merr zëvendëskryeministrin e parë, LV zëvendëskryeministrin e dytë, LV kryeparlamentarin dhe nënkryetarin e parë të kuvendit, LDK në anën tjetër kryetarin e dytë të kuvendit. Ndarja e numrit të zëvendësministrave ndahet në mënyrë proporcionale në mes të partive. LDK-së gjithashtu iu jepet edhe premtimi për presidentin e ardhshëm, që do ta pasojë, Hashim Thaçin.

Kërkesën e njëjtë si atë që thuhet se është përfolur në takimin tre orë që dje zgjati dje, e kanë bërë edhe LDK-ja e Pejës, që njihet si dega më e fuqishme e kësaj partie.

Dega që udhëhiqet nga Gazmend Muhaxheri, që njihet për ndikimin e tij brenda LDK-së, kanë dalë dje me një njoftim përmes të cilit kanë kërkuar që partia të merr 6 ministri dhe presidentin në marrëveshjen për formimin e qeverisë me VV-në. Më vonë, i njëjti postim është ndryshuar duke u hequr oferta për të cilën thuhet se do ta kërkojë LV-ja.

Komunikata e lëshuar nga Dega e LDK-së në Pejë
“Dega e Pejës mbështet krijimin e qeverisë së përbashkët me VV por me kusht që LDK të ketë pushtet të barabart me VV-në. LDK duhet tē ketë 6 ministri dhe Presidentin sepse i meriton. Këtë e konsiderojmë ndarje racionale dhe të balancuar të pushtetit”, thuhej në postimin e LDK’së në Pejë, e cila u hoq.

Në postim po ashtu thuhej se LDK’ja është parti me traditë dhe se ka kuadro. Edhe pse e dyta, sipas kësaj dege, LDK’ja meriton pushtet të barabartë me VV’së sepse rezultati është shumë i ngushtë.

“LDK është parti me traditë, ka kuadro që garantojnë qeverisje të ndershme dhe profesionale. LDK është parti e dytë në zgjedhje por me një dallim shumë të ngusht me të paren, prandaj edhe e meriton gjysmen e pushtetit politik”, thuhej më tutje në shkrim.

Vetëvendosje është duke pritur ofertën e LDK-së, për kabinetin qeveritar. Situata mes të dyjave është komplikuar pas nominimit të kandidatit për kryeparlamentar nga LV-ja.

Se janë duke pritur propozimin e ri të LDK-së, e ka thënë sot para gazetarëve, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci. Ajo ka bërë të ditur se në kryesi kanë autorizuar grupin punues të përbërë nga kryetari i partisë, Albin Kurti, nënkryetarët Besnik Bislimi e Fatmire Kollçaku si dhe deputetja Albulena Haxhiu që të diskutojnë për këto kushte.

“Është me rëndësi ne presim që të dijmë cila është kërkesa e LDK-së, diskutimet do të vazhdojmë, kryesia i ka dhënë mandat të plotë grupit punues që të angazhohen që të kemi sa më parë marrëveshje. Presim që edhe LDK-ja në bazë të deklaratave publike që i kanë bërë të jenë të përkushtuar në të njëjtën mënyrë”, ka deklaruar ajo.

Takimi Kurti – Mustafa është caktuar që të mbahet sot në ora 14:00 në Kuvend të Kosovës.